Kreu i PD: Kemi çmimin e karburantit më të lartë në Europë

Nga Patosi, krydemokrati Lulzim Basha është zotuar se me programin ekonomik të Partisë Demokratike, shteti do u paguajë interesat e kredive 20 mijë çifteve të reja të cilët do të duan të blejnë një banesë.

Në takim me qytetarët, Basha tha se Shqipëria është vendi më i varfër në Europë, e ka çmimin më të lartë të karburantit për shkak të taksave.

“Interesi do të paguhet 100% nga qeveria e ardhshme, që do të thotë brenda 4 vjetëve, 20,000 çifte të reja do kenë patur mundësinë të blejnë një banesë. Vendi më i varfër i Europës paguan naftën më të shtrenjtë, e njejta gjë me energjinë elektrike, taksat. Që investimet të vijnë, të huajat e të hapin vende pune, ne duhet tu krijojmë kushte.”

Kandidati për kryeministër tha se në 8 vite qeveria “Rama” nuk i ka mbajtur premtimet, ndërsa tha se me planin e Partisë Demokratike, do i’u jepet fund aferave korruptive me koncesionet dhe me inceneratorët.

“Kjo qeveri dhe ky kryeministër dështoi, nuk do të ketë më afera të tilla.”

Kreu i demokratëve tha se për programin e punës së PD-së, kanë bashkëpunuar 500 ekspertë në 2 vite, ndërsa theksoi se nuk bën premtime elektorale, por do të marrë angazhime konkrete.

Klan News