Kërkon ndjesë për qeverisjen e PD-së dhe premton kthim fizik të pronave

Kryedemokrati Lulzim Basha, ju premtoi pronarëve të shpronësuar se do shfuqizojë ligjet aktuale mbi pronat dhe do të bëjnë kuadër të ri ligjor madje edhe per kthimin fizik te pronave pas 25 Prillit nëse vjen në pushtet. Sipas Bashës ligji i kryeministrit Edi Rama për shpronësimin është antikushtetues.

“Ne e konsiderojmë ligjin e qeverisë Rama një shpronësim të dytë anti-kushtetues, anti-ligjor. Dhe jemi zotuar që ditën e parë të kalimit të atij ligji se do ta shfuqizojmë atë. Ne i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe do të vazhdojmë të ndjekim rrugën tonë deri në instancat më të larta të Strasburgut për të shfuqizuar çdo efekt me parapaveprim të këtij ligji ç ‘njerëzor, i cili nuk bën gjë tjetër veçse i vë një damkë të dyfishtë turpit të trashëgimisë së kundërshtarit tonë politik dhe qeverisë në ikje të kryeministrit Rama.”

Kthimi i pronës, kompensimi fizik, në natyrë i pronës dhe pjesë marrje me obligacione në fondet e investimeve publike sipas marrëveshjes me pronarët e shpronësuar janë ndër objektivat e demokratëve për zgjidhjen e çështjes së pronave.

“Prioritetet do të jenë: kthimi i pronës, kompensimi fizik, pra në natyrë i pronës dhe… apo pjesa marrje me obligacione në fondet e investimeve publike sipas marrëveshjes me pronarët e shpronësuar. Garantimi dhe respektimi I titujve të pronësisë referuar një vendimi I formës së prerë administrative apo gjyqësor, të cilët në asnjë rast nuk do të preken pa një proces të rregullt ligjor. Garantimi I ekzekutimit të veprimeve përfundimtare të kompensimit të pronës të pa ekzekutuara duke ju referuar zërit kadastra të përcaktuar në to. Përfshirja në fondet e kompensimit fizike të pronave të konfiskuara për efekt të ligjit anti-mafia përfshirë edhe rastet e kontratave PPP apo koncesioneve korruptive.”

Nëse Basha vjen në pushtet kërkesat e reja të ish pronarëve që nuk i kanë paraqitur më parë do të trajtohen në frymën e ligjit të ri. Pronarët do të shkarkohen nga kostot administrative si dhe tarifat dhe taksat gjyqësore në proceset administrative dhe gjyqësore të cilat do të mbarten nga shteti.

 “Kërkesat e pa trajtuara do ti nënshtrohen ligjit në kohën në fuqi në kohën e depozitimit të kërkesës në agjenci, ndërsa ekzekutimi do të kryhet në të njëjtën skema si rastet e ekzekutimit të vendimeve të tjera përfundimtare. Kërkesat e reja që nuk janë paraqitur më parë do të trajtohen në frymën e ligjit të ri. Pronarët do të shkarkohen nga kostot administrative si dhe tarifat dhe taksat gjyqësore në proceset administrative dhe gjyqësore të cilat do të mbarten nga shteti.”

Lulzim Basha u kërkoi ndjesë publike ish-pronarëve edhe për moszgjidhjen e problemeve të tyre edhe gjatë qeverisjes së PD-së.

Klan News