Kryeministri Edi Rama e ka quajtur koalicionin PD-LSI si një marrëveshje mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Presidentit Ilir Meta për të zhbërë Reformën në Drejtësi. Mirëpo, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, deklaroi këtë të martë se arsyeja pse Reforma në Drejtësi ka ngelur në vendnumëro është për shkak të Ramës. Ai u shpreh se kur të vijë në pushtet do t’i mbajë duart larg nga drejtësia dhe se kjo është një nga shtyllat e programit të tij.

“Reforma në Drejtësi ka ngelur në vendnumëro për shkak të frikës së Edi Ramës. Komenti im është që 25 Prilli do jetë dita ku shqiptarët do të votojnë për një kryeministër si unë që do i mbajë larg duart nga drejtësia. Që nuk do t’i marrë në telefon gjyqtarët e ti kërcënojë për t’i prerë këmbët kur godasin bandat, por do t’i inkurajoj me çdo formë dhe mënyrë. Do vëmë në dispozicion çdo institucion për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Larg duart nga Reforma në Drejtës. Është një nga shtyllat e programit tim. Një nga problemet që ne kemi vuajtur dhe që është 100-fishuar me Edi Ramën është kapja e drejtësisë nga politika. Problemin në drejtësi e shkaktoi politika. Më 25 Prill Reforma në Drejtësi do të çlirohet. Do tunden prangat për ata që do përfshihen në korrupsion”, tha Basha./tvklan.al