“Kryeministri fshihet pas emrit të ndërkombëtarëve”

Paketa antikrim e anti-KÇK e Kryeministrit Rama për Lulzim Bashën është një tjetër skemë e kreut të qeverisë për të bllokuar ngritjen e SPAK-ut dhe BKH, që ai vetë thotë se mirëpritet të ndodhë një orë e më parë.

Në një bashkëbisedim me gazetarët pasditen e të dielën kreu i PD, mbështet si propozimin për referendum nga Presidenti i Republikës, ashtu dhe tubimet popullore që ka lajmëruar se do të nisi në 8 Dhjetor.

Edhe pse thotë se nuk komenton deklaratat e asnjë politikani, aq më shumë lidhur me ndërkombëtarët, Basha po njësoj si Ilir Meta, mendon se shumë prej tyre janë përdorur si alibi nga Edi Rama për aferat e tij me ligjet dhe Kushtetutën.

E akuzon Kryeministrin për kapjen e çdo pushteti dhe lidhur me propozimin e tij për të bërë ndryshime kushtetuese dhe ligjore pas përplasjes me kreun e shtetit për Gjykatën Kushtetuese.

Basha thotë se propozimet për Reformën Zgjedhore, selia blu do t’i përmbyll brenda Dhjetorit, por mohon se me shumicën të ketë negociata për të arritur një marrëveshje.

Ndërsa sipas tij, Edi Rama ka penguar çdo iniciativë ndërkombëtare, kryesisht gjermane, për të patur një tryeze dialogu. Gjithsesi, ai këmbëngul se zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja mënyrë për të rimëkëmbur ekonominë shqiptare.

Tv Klan