Ish-Kryeministri Sali Berisha e cilësoi përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar i PD një vendim jashtë çdo lloj norme. Në një intervistë për Syri Tv, Berisha tha se Lulzim Basha më parë duhej të konsideronte dorëheqjen e tij.

“Vendim jashtë çdo lloj norme. Një vendim të tillë, një njeri që respekton parimet elementare nuk mund ta marrë. Unë e kuptoj presionin e jashtëzakonshëm që ai ka pasur, por pavarësisht nga presioni, mendoj se disa herë më parë, duhet të konsideronte dorëheqjen e tij, sesa të dorëzonte sovranitetin e PD. Me njoftimin që shpalli zoti Basha bëri atë që s’bëri Ilirjan Celibashi. Vendosi të dorëzojë sovranitetin, ta asgjësojë PD si një parti sovrane. Jam i sigurtë që Lulzim Bashën e kanë kërcënuar me sanksione.

Berisha theksoi se “Për të marrë një vendim të tillë zoti Basha duhet të mblidhte kongresin e PD, të ndryshonte statutin e PD, të vendoste një nen në statut në të cilin të sanksionohej përjashtimi nga grupi e personave të cilët shpallen “non grata” nga SHBA apo nga ndonjë vend tjetër. Ky nen nuk ekziston dhe nuk mund të ekzistojë pa transparencën. Në këtë kontekst, ai për interesa apo qëllime të caktuara, shpalli një vendim i cili është nul, sepse është vendimi i tij dhe i asnjë forumi të PD, por nuk është ky thelbi. Thelbi është dorëzimi i sovranitetit të PD. Pra mendoj se Shqipëria në këtë rast ka humbur e tërë shoqëria shqiptare.”/tvklan.al