Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur gjatë një lidhje live për emisionin “Opinion” në Tv Klan se me vendimin e sotëm për ta përjashtuar liderin historik të PD-së nga grupi parlamentar, Lulzim Basha ka dorëzuar sovranitetin e PD-së. Po ashtu sipas tij, ky vendim është de facto asgjesimi i PD-së si opozitë sovrane.

Sali Berisha: Dua të shprehem që me vendimin që kryetari i PD-së Lulzim Basha, komunikoi, është një vendim i cili në rrafshin statutor është nul & void.

Blendi Fevziu: Zoti Berisha, statuti i PD është shkelur me dhjetëra herë dhe nuk ka patur kaq peshë…

Sali Berisha: Këtu nuk jam dakord me ju, këtu kemi të bëjmë me dorëzimin e sovranitetit të PD si institucion, këtu de facto kemi të bëjmë me asgjesimin e PD si opozitë sovrane.

Blendi Fevziu: Zoti Basha mes jush dhe SHBA ka zgjedhur SHBA, është e thjeshtë llogaria e tij…

Sali Berisha: Zoti Basha ka zgjedhur shkatërrimin e PD-së nga sovraniteti i saj. Unë e kuptoj fuqinë e jashtëzakonshme të SHBA, rëndësinë e tyre, por PD mund të jetë një parti e vlefshme, solide vetëm e vetëm si një parti sovrane. PD mund të jetë një aleate e vërtetë e SHBA dhe çdo vendi tjetër e lirë vetëm si parti sovrane dhe në  asnjë mënyrë si një parti që për rrethana që i di Lulzim Basha pranon të shkatërrojë sovranitetin e saj./tvklan.al