Sorina Koti, deputetja e Partisë Demokratike në qarkun e Korçës, është shfaqur sot në Foltoren e Sali Berishës me demokratët në Korçë.

Deputetja Sorina Koti i ka kërkuar Sali Berishës që të gjejë një rrugëzgjidhje për situatën e krijuar brenda Partisë Demokratike për debatin mes tij dhe Lulzim Bashës.

Nga ana tjetër, ish-Kryeministri është përgjigjur duke thënë se zgjidhja është votimi në Kuvendin Kombëtar të PD-së.

Sorina Koti: Jam këtu si deputete e Korçës, si anëtare e PD. Bashkë me gjithë këta burra dhe zonja që ndodhen këtu në sallë, ne kemi qenë 8 vite në protestë bashkë, jemi përballur me regjimin e Ramës me gjithë makinerinë e pushtetit të tij, me gazin lotësjellës, me dhunën, me korrupsionin, me terrorin dhe me çdo presion që kjo qeveri i ka bërë çdo demokrati. Ne kemi qenë të gjithë bashkë, e ku ndodhemi sot. Jemi në opozitë, në pikën tonë më kritike, më delikate. Jemi në një debat të brendshëm. Nuk do doja që sot demokratët e Korçës, demokratët e gjithë Shqipërisë, të ndodheshin në këtë situatë. Është vërtetë pikë shumë e vështirë. Po ju kërkoj ju, si themelues i PD, si një nga njerëzit të cilët e keni udhëhequr këtë forcë në vitet e suksesit të pushtetit të vetë. Ju kërkoj të gjejmë një rrugëzgjidhje, një rrugëdalje, një forcë pozitive për të ringritur Partinë Demokratike në pushtetin e saj. Të gjithë ne këtu sot besojnë në atë logo, në Partinë Demokratike. Besojmë në vlerat demokratike, besojmë në vlerat tradicionale dhe në vlerat konservative. Forca jonë është bashkimi. Partia Demokratike është më e rëndësishme se çdo gjë.

Sali Berisha: Të falenderoj për praninë tuaj këtu dhe shqetësimin e drejtë që shprehe. Në qoftë se më pyet mua se nga duhet t’ja nisim ne për të kapërcyer këtë situatë, nga gjithë eksperienca ime 30-vjeçare unë mund të them se ne mund t’ja nisim vetëm nga vota. Në ç’kuptim? Në qoftë se kaluam nga humbja në humbje dhe kryetari nuk pati integritetin për të dhënë dorëheqje, çka është standardi më normal, pas kësaj ai ndërmorri vendime të cilat kurrë nuk mund t’i merrte. Sepse statuti shkruan ndryshe. Ne kemi një Kushtetutë dhe ne do zbatojmë Kushtetutën tonë. Çfarë do bëjmë? Pikërisht mund të mblidhej Këshilli Kombëtar, por meqënëse u krijua kjo klimë e paprecedentë, kur jashtë çdo lloj norme ai merr një vendim që s’e ka absolutisht kurrkund kompetencë, atëherë thamë të mbledhim Kuvendin. Se Kuvendin kemi ne forumin më të lartë dhe të përcaktojmë disa rregulla. /tvklan.al