Me lumë fishekzjarresh dhe lëndësh piroteknike të hedhura nga mbështetësit e opozitës u përballën forcat e policisë në kohën kur marshimi i protestuesve mbërriti para godinës së Parlamentit.

Një grupim personash të dhunshëm lëshuan për disa minuta flakadanë dhe lëndë plasëse brenda rrethimit, por policia veç përdorimit të ujit në momente të caktuara, fillimisht nuk përdori gaz lotsjellës.

Forcat e rendit u bënë thirrje të vazhdueshme organizatorëve të ndalnin sulmin ndaj tyre. Nga hedhja e lëndëve piroteknike mbeti i plagosur një protestues si dhe një oficer policie. Gjatë tubimit para Parlamentit, ministri i Brendshëm Sandër lleshaj i bëri thirrje kreut të Partisë Demokratike të ndalë sulmin ndaj institucioneve. Këtij apeli iu bashkua edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili bëri thirrje për vetëpërmbajtje, shmangien e incidenteve dhe provokimeve.

Futja e protestuesve brenda rrethimit të Parlamentit detyroi forcat e rendit të përdorin gazin lotsjellës. Më herët momente tensioni pati edhe para Kryeministrisë ku nuk mungoi hedhja e shashkave në drejtim të derës së Kryeministrisë dhe shtyrja e kordonit të policisë.

Në fjalimin që mbajti në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kreu i Partisë Demokratike tha se është i vendosur të çojë deri në fund betejën për largimin e Edi Ramës.

“Dua ta them fare qartë sot, se koha për lojërat e Edi Ramës po merr fund. Kufoma politike që i dridhej dora teksa lexonte plagjiaturën e Albin Kurtit në Lezhë, tregon qartë se pushteti i krimit ka vdekur moralisht, por ai duhet kallur dhe politikisht”.

Basha tha se opozita nuk do të pranojë zgjedhje moniste në 30 Qershor, duke thënë se zgjidhja e vetme është ajo e një qeverie tranzitore që do të organizojë zgjedhje të parakohshme.

“Ndërsa ora po afron, ke një dhe vetëm një rrugë Edi Rama….Rama ik! Një qeveri tranzitore, zgjedhje parlamentare është rruga e vetme europiane e zgjidhjes së kësaj krize dhe ne jemi këtu për zgjidhje europiane e s’do pranojmë asgjë më pak”.

Basha tha se Partia Demokratike është gati të ndërtojë me shqiptarët një kontratë europiane bashkëjetese e demokracie që do të çlirojë Shqipërinë nga krimi e korrupsioni. Ndërsa mesazhin e fundit për Kryeministrin e dha nga selia e Partisë Demokratike.

“E sotmja është dita e fundit ku unë ju drejtohem me argumentet e arsyes, sepse koha për fjalët po mbaron dhe në protestën e ardhshme fjalën do ta ketë vetëm populli. Sot dua t’ju përsëris zotimin tim, se nuk kërkojmë asgjë më shumë por nuk do të kërkojmë asgjë më pak se Europa. Zgjedhe të lira e të ndershme. Lëre sovranin të flasë me vota, ose dëgjoja zëri në protestën e ardhshme”.

Tv Klan