Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e konsideron të prishur marrëveshjen e 5 Qershorit për Reformën Zgjedhore mes PS-PD-LSI.

Pas deklaratës së Edi Ramës se Partia Socialiste do të pranojë hapjen e listave, Lulzim Basha doli në një konferencë për shtyp nga selia blu duke akuzuar kryesocialistin për dështimin e marrëveshjes.

Sipas tij, Kryeministri Rama i frikësohet humbjes nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

“Tmerri dhe ankthi i Edi Ramës për humbjen e pushtetit me zgjedhje të lira dhe të ndershme ka kohë që manifestohet me gjuhën e tij, por sot ka arritur një majë papërgjegjshmërie që nuk e ka patur as Ramiz Alia. Rama do të thyejë rekordin e Kryeministrit në ikje më të tmerruar. Edi Rama sot ka prishur marrëveshjen e 5 Qershorit, marrëveshje për të cilën u investuan forcat politike

Kreu i demokratëve u shpreh se opozita ka bërë gjithçka këto 7 muaj për të arritur një marrëveshje konsensuale. Por sipas tij, kryeministri nuk do depolitizim të administratës zgjedhore. Në fakt kërkesa e kreut të qeverisë për depolitizim me kusht që të përbëhej nga administrata publike tregon panikun e tij, sipas Bashës.

Gjatë një deklarate për mediat, Basha u shpreh se Rama donte nxjerrjen e komisionerëve të opozitës dhe t’i zëvendësonte ata me njerëz të kontrolluar nga ai vetë.

“Depolitizim i komisioneve me kusht që të përbëheshin nga administrata publike. Ishte e qartë që kishim të bënim me një njeri në panik, ankthi i të cilëve diktonin sjelljen e negociatorëve në tavolinë. Kjo është një nga gënjeshtrat fanar. Edi Rama nuk donte depolitizim, donte të nxirrte komisionerët e opozitës jashtë dhe t’i zëvendësonte me bedelët apo njerëzit e kontrolluar dhe shantazhuar prej tyre”, tha Basha.

E ndërsa të gjithë flasin për listat e hapura, Basha thotë se problemi kryesor janë ndryshimet e propozuara për koalicionet zgjedhore.

“Diskutimi është për koalicionet zgjedhore. Është realitet i pluralizmit politik. Ky është halli i vërtetë i Edi Ramës. Sot ranë edhe dorezat edhe maskat. Shqiptarët e kanë të qartë që Rama ka frikë koalicionin opozitar dhe zgjedhjet me koalicionin opozitar përballë”, tha Basha sipas të cilit, deputetët  e opozitës parlamentare që e kanë propozuar këtë ndryshim janë përdorur nga mazhoranca. Sipas tij ata janë më të interesuarit për koalicione.

E nëse do të diskutohet ndryshimi i sistemit, Lulzim Basha thotë se këtë gjë duhet ta vendosin qytetarët përmes një referendumi.

“Partia Demokratike nuk e ka përjashtuar diskutimin për sistemin. Jemi të vendosur që një diskutim të tillë ta bëjmë, por jo me Ballaopozitën. Vendimmarrja i takon të gjithë shqiptarëve përmes një referendumi popullor. Qëndrimi i sotëm tregon dhe diçka tjetër. Komisioneri për Zgjerimin u bë zëri i katërt në harkun kohor të tre ditëve që kërkoi respektimin e marrëveshjes së 5 Qershorit. Ky ndryshim i njëanshëm e zhvleftëson marrëveshjen e 5 Qershorit”. /tvklan.al