Për më shumë se 70 minuta, kreu i opozitës, Lulzim Basha, denoncoi me shifra korrupsionin që sipas tij, në dy vjet Kryeministri Rama ka bërë përmes dhënies së prokurimeve publike pa tender e garë miqve të tij.

“88 milionë dollarë të shqiptarëve të marra nga kjo 11-ëshe, pa tender e pa garë. Vetëm në katër muajt e parë nga 2186 prokurime publike, 1596 janë bërë pa tender. 71% e pazareve të qeverisë kanë shkuar tek klientët e saj pa garë”.

Abuzimet me fondet publike ishin një tjetër mekanizëm korrupsoni që sipas kreut të demokratëve në dy vjet ka përdorur qeveria.

“Bëhet fjalë për afro 90 milionë dollarë. Do ishin bërë 40 shkolla,  do kishin punësuar 14 mijë shqiptarë me rrogë 540 mijë lekë. Këto janë destinacionet e taksave që në vend të ktheheshin në punë janë kthyer në luks për qeveritarët.”

Sipas Bashës në dy vjet shqiptarëve u janë vjedhur 2.2 miliardë euro taksa. Por matematika e kreut të opozitës, duket se nuk i ka pëlqyer Kryeministrit Rama, i cili në momentin e bashkëbisedimit të Bashës me gazetarët ka replikuar me të në rrjetet sociale, duke i cilësuar shifrat e publikuara prej tij shpifje dhe duke e ftuar atë për Reformën në Drejtësi. I pyetur nga gazetarët Basha ia dha përgjigjen live.

“Nëse më ndjek, besoj se na ndjek, se kam me ty personalisht, e kam me vjedhjet e tua”.

Jolldiz Mitro/Tv Klan