Situata e rëndë e pandemisë ka prekur çdo sektor të ekonomisë shqiptare, përfshirë dhe sektorin e agrobiznesit dhe bujqësisë. Presidenti i  Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar Agim Rrapaj dhe drejtoresha ekzekutive Enisa Shena i paraqitën sot me shifra dhe detaje kryetarit të PD  situatën e vështirë të sektorit të zinxhirit ushqimor që, për shkak të pandemisë dhe mungesës së mbështetjes me paketë ndihme të dedikuar këtij sektori, rrezikon kolapsin.

Përfaqësuesit e 37 shoqatave kombëtare dhe rajonale, drejtues të Këshillit të Agrobiznesit, janë të shqetësuar për situatën aktuale pasi prodhuesit nuk arrijnë të shesin prodhimet dhe po konkurrohen nga produktet e importit të cilat vijnë të subvencionuara në vendet e origjinës.

Kryetari i opozitës Basha shprehu mbështetjen për kërkesat e drejta të  fermerëve dhe sektorit të agrobiznesit dhe së bashku me përfaqësuesit e KASH ndanë si prioritete urgjente për përballimin e krizës disa hapa duke përfshirë: Barazimin e TVSH-së për të ndihmuar prodhimin vendas dhe fermerët që kanë pësuar goditje nga pandemia duke ndihmuar  të gjithë zinxhirin e  prodhimit agro-ushqimor i vendit; Përfshirjen e institucioneve të mikrokredisë në skemën e garancisë sovrane që qeveria shqiptare ofron për bankat e nivelit të dytë. Sektori i mikrokreditit është jetik për të siguruar likuiditetin në sektorin agrobujqësor. Sot ky likuiditet mungon duke rrezikuar prodhimet së nesërmes; Qeveria shqiptare nëpërmjet AZHBR-së dhe institucioneve të tjera duhet të rrisë ndjeshëm financimin me grante për të gjithë fermerët shqiptarë të cilët kanë pësuar humbje nga situata e pandemisë së COVID-19.

“Sot, shqiptarët po rrënohen ekonomikisht çdo ditë e më shumë. Çdo biznes,përfshirë dhe bujqësinë kane nevojë për ndihmë dhe jo fjalë boshe. Me mënyrën si po e menaxhon kjo qeveri situatën pandemia shëndetësore Covid-19 do të shndërrohet në pandeminë ekonomike 2020”, mësohet të jetë shprehur Basha gjatë takimit./tvklan.al