Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, këtë të diel e ka nisur fushatën elektorale në Tropojë. Basha u shoqërua me tingujt e tupanit gjatë një ecje në bulevardin kryesor të qytetit dhe u takua me qytetarët.

Pas një ecje disa minutëshe, numri një i PD iu drejtuar me një mesazh banorëve të Tropojës dhe tha se për të është një gëzim që ndodhej “mes pas ardhësve të dardanëve kreshnik, në Tropojën e Sali Berishën e Azem Hajdarit“.

Më tej kreu i PD kërkoi nga tropojanët që të votonin PD-në, pasi sipas tij Edi Rama ka dështuar në këto 8 vite.

Prej tetë vitesh me radhë ka pllakosur si anembanë vendit një varfëri e skajshme. Këtu në këtë vend që është dhe duhet të ishte kryeqendër vitrinë e Shqipërisë, e Kosovës, e kombit shqiptar, janë larguar më shumë të rinj e të reja në emigracion se sa nga çdo trevë tjetër e Shqipërisë. Zemra ime dhemb me zemrat e nënave të Tropojës, me zemrat e baballarëve të Tropojës, për bijtë e tyre të larguar në emigracion.

Por sot zemra ime dhe e çdo shqiptari është plotë me shpresë, nga shpresa që rrjedh nga ky shesh. Nën hijen e heroit tonë Bajram Curit, nën vështrimin e rinisë së mrekullueshme të Tropojës, nën tingujt e zërave që brohorasin nga kraharorët tuaj, më fortë se goditjet e tupanxhiut. E na bashkoj në një gëzim të brendshëm, në një shpresë se ndryshimi i pandalshëm po vjen! 8 vite të gjatë, një dimër pa fund për familjet, për sipërmarrjet, për fermerët. Një dimër plotë vështirësi për prindërit dhe vuajtje për fëmijët e tyre. 8 vite dështime, premtime të pambajtura dhe njeriu përgjegjës për këto ka guximin të trokas prapë e të kërkojë edhe 4 vite të tjera!

Është një mrekulli jo vetëm e zotit, por i shpirtit mbijetues të shqiptarëve, sepse asnjë popull nuk do të kishte qëndruar dot në këmbë pas vitesh rrënim! Sikur vendi të ishte pa qeveri, por të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar dje nga Saranda në Tropojë e kam parë, e kam dëgjuar nga të gjithë. 4 vitet të tjera si këto 8 që kaluam nuk i pranon më asnjë shqiptar, i djathtë dhe i majtë, demokrat dhe Socialist.

Ndaj jemi të bashkuar, të bashkuar se e dimë fare mirë përgjigjen ndaj mijëra nënave që kërkojnë ti mbajnë fëmijët e tyre këtu, ti arsimojnë këtu, ti punësojnë këtu, ti martojnë dhe ti themelojnë familjet e tyre në këtë vend të mrekullueshëm e anë e mbanë Shqipërisë. Të gjithë baballarëve që kërkojnë të ardhme për familjen e tyre, qytetarëve që kërkojnë punë, fermerëve që kërkojnë mbështetje, shqiptarëve që kërkojnë që Shqipëria të ecë përpara, shqiptarëve që e duan Shqipërinë në Bashkimin Europian“.

Lideri i opozitës tha se koha e Edi Ramës ka marrë fund dhe tani është koha për një qeveri që nuk është arrogante./tvklan.al