Basha thirrje për bashkim pas rikonfirmimit si kryetar




Basha thirrje për bashkim pas rikonfirmimit si kryetar

20:55 14/06/2021

“Përpjekjet tona në drejtim të kundërshtarit të vetëm të PD”

Një proces unik që e ngriti Partine Demokratike në lartësinë e emrit dhe të historisë së saj” e quajti Lulzim Basha atë që e rikonfirmoi kryetar për herë të tretë me 32 mijë e 882 vota, thënë ndryshe me mbështetjen e 81 % e anëtarësisë.

“Ndaj dua të falenderoj secilin prej jush, nga themeluesit tek anëtarët më të rinj, për ushtrimin më të bukur të demokracisë brenda partisë tonë, në një proces unik falë të cilit edhe njëherë Partia Demokratike ngrihet në lartësinë e emrit dhe të historisë së saj”.

Pa falenderuar nuk la edhe tre kandidatet që garonin për postin e tij dhe që e sulmuan jo pak për humbjen e 25 Prillit dhe për procesin e zgjedhjeve në parti. Mesazhi për ta ishte ai përbashkues.

“Mirënjohja ime shkon edhe për tre kandidatët e tjerë, të cilët e bënë këtë garë të vërtetë , sfiduese dhe dinamike. Për secilin prej tyre kam një mesazh: Ne kemi mendime të ndryshme por parime të njëjta, prandaj jam i bindur se përtej diferencave, nga sot energjitë dhe përpjekjet tona do të shkojnë në drejtim të kundërshtarit të vetëm të Partisë Demokratike, dhe të shumicës dërmuese të shqiptarëve, regjimit Rama-Doshi”.

Përpara e presin sërish vite të tjera në opozite dhe një dorë e shtrirë nga Edi Rama për bashkëpunim, përgjigjen e së cilës, Basha tha se e dhanë demokratet me votën e tyre.

Sepse me këtë votë të qartë ju refuzuat të njihni masakrën zgjedhore të 25 prillit!  Me këtë votë të qartë ju refuzuat bashkëpunimin me regjimin Rama-Doshi!  Me këtë votë të qartë ju vendosët se bashkë, të gjithë bashkë, do të luftojmë me gjithë forcën tonë për ndryshimin që u pengua në 25 Prill”.

Të dielën në kutitë e votimit u drejtuan i 41 mijë E 97 anëtarë të Partisë Demokratike, ose thënë ndryshe rreth 54.7% e tyre morën pjesë në zgjedhje për kreun e ri të kësaj force politike. Pas mbylljes së numërimit, i vetmi kandidat në garë që pranoi rezultatin, pavarësisht se e cilësoi të pabarabartë që në nisje këtë proces ishte Fatbardh Kadilli.

Tv Klan





Të ngjashme