Kreu i opozitës Lulzim Basha është kthyer në Shqipëri pas një vizite që pati në Slloveni dhe Kroaci. Të frytshme i konsideron kryetari i PD-së vizitat me kryeministrin slloven Janez Janša dhe atë kroat Andrej Plenković. Basha nëpërmjet një videomesazhi drejtuar qytetarëve këtë të premte thotë se kryeministrat i kanë shprehur mbështetjen dhe dëshirën për të forcuar lidhjet mes vendeve tona në të gjitha fushat.

“Të dy kryeministrat më shprehën dëshirën e tyre për të forcuar lidhjet mes vendeve tona në të gjitha fushat: në turizëm, në tregti, në diplomaci, në biznes, në investime. Diskutuam mënyrat se si mund të arrihen këto, menjëherë pasi të zgjidhem kryeministër”.

Basha shprehet ndër të tjera se kryeministrat e huaj i kanë mirëpritur planin ekonomik, që sipas kryetarit të PD-së, do të thithë investime të huaja. Por mbi të gjitha, Basha vë theksin tek integrimi, çështje për të cilën thotë se ka marrë mbështetjen e Janša dhe Plenković.

Basha shprehet se gjatë 8 viteve të qeverisjes se tij, Rama vetëm e ka larguar Shqipërinë nga Bashkimi Europian dhe se ai vetë do të bëjë të mundur integrimin nëse vjen në qeveri.

“Ashtu si ia dolëm që me vendosmëri dhe besimin e partnerëve europianë dhe amerikanë ta fusim Shqipërinë në NATO, ashtu siç hoqëm vizat, me të njëjtin vullnet dhe punë të pandalshme bashkë me ju dhe me ndihmën e miqve tanë do ta fusim Shqipërinë në Bashkimin Europian”, shprehet Basha./tvklan.al