Një ditë pas publikimit të formularëve të vetëdeklarimit të 140 deputetëve dhe 61 kryebashkiakëve, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se u konfirmua alarmi i opozitës për ekzistencën e krimit në përmasa kritike në parlament dhe pushtetin vendor.

“Kandidimi i tutorëve të prostitucionit deri tek vrasësit tregon arsyen se pse Rama bëri gjithçka për të mos e miratuar ligjin për një vit me radhë”, deklaroi Basha.

Të paktën tre janë kryebashkiakët e majtë që sipas tij do të preken nga zbatimi i ligjit të dekriminalzimit, Artur Bushi i Krujës, Elvis Rroshi i Kavajës dhe Artur Bardhi i Kurbinit. Por kreu i opozitës paralajmëroi largime të tjera në radhët e të zgjedhurve të majtë.

“Treshja Rroshi, Bushi e Bardhi iu tregoi shqiptarëve kumbarin Edi Rama. Kryebashkiakë të tjerë do largohen, denoncime të shumta të ardhura nga partnerët tregojnë se shumë kryetarë bashkish kanë fshehu të dhënat e tyre në formularët”, tha kreu i PD-së.

Nga ky proces Basha tha se nuk do të ketë imunitet për askënd, madje as për të zgjedhurit e djathtë.

“Se kam propozuar ligjin për kundërshtarët dhe Ramën, por kur ka patur raste që kanë rrëzuar kriteret e mia, kam tërhequr kandidatët. Ndaj dhe tani do e zbatoj ligjin”,

theksoi Basha.

Ai tha se opozita do të kërkojë nga prokuroria verifikim për të gjithë ata persona që kanë bërë deklarim të rremë duke fshehur vepra penale të kryera brenda ose jashtë vendit në të shkuarën.

Tv Klan