Basha: Fshirja e adresave të shqiptarëve në Preshevë, spastrim i pastër etnik



Basha: Fshirja e adresave të shqiptarëve në Preshevë, spastrim i pastër etnik

21:01 21/12/2020

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar sot një takim me nën kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, dhe përfaqësues të Preshevës dhe Medvegjës, Muharrem Salihun, Alban Salihun nga Forumi Ekonomik i shqiptarëve në Serbi dhe Sami Salihun nga Asambleja e Preshevës.

Basha në një postim në mediat sociale bën me dije se në takim kanë diskutuar për fshirjen e adresave të shqiptarëve në Presheve.

Një vend të veçantë zuri në këtë takim procesi i fshirjes së adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, e cila është më masive në Medvegjë, por po shtrihet me shpejtësi edhe në Preshevë dhe Bujanovc.

Kjo çështje duhet trajtuar me prioritet, sepse nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që të ndryshojë struktura etnike e Luginës së Preshevës. Ajo çfarë po bën Serbia është spastrim i pastër etnik”, shkruan Basha.

Më tej ai hedh akuza kundër kreut të qeverisë, Edi Rama, i cili këtë vit ka qenë në krye të OSBE-së.

Shqipëria ka humbur një mundësi gjatë drejtimit të OSBE-së, për ta trajtuar këtë çështje tejet të rëndësishme për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët në këtë mënyrë humbasin çdo të drejtë”, theksohet nga kreu i PD.

Basha shton se “menjëherë pas marrjes së detyrës së Kryeministrit, për ta trajtuar me prioritet dhe në çdo institucion ndërkombëtar këtë çështje, e cila është shkelje e lirive dhe të drejtave të njeriut”./tvklan.al







Të ngjashme