Kreu i PD u përgjigjet deklaratave të Damian Gjiknurit

Mazhoranca e ftoi opozitën të ulet në tryezën e këshillit politik, kur në Mars për shkak të pandemisë palët ndërprenë punën për Reformen Zgjedhore.

Por Lulzim Basha e cilësoi gënjeshtër deklaratën e bashkëkryetarit socialist Damian Gjiknuri, duke i kujtuar shumicës se është e gatshme që nesër ta votojë Reformën Elektorale.

“Nuk jemi larguar kurrë nga tryeza. Qeverisë i ka munguar vullneti të shprehet për propozimet tona. Ia kemi çuar propozimet tona. Kemi gati dhe propozime të tjera. Qeveria s’ka përse pret javën që vjen. Ne jemi gati të vazhdojmë me tryezën dhe të votojmë reformën që nesër. Që t’ju japim qytetarëve një qeveri legjitime dhe që të kujdeset për fatin e tyre, për ekonominë që po bie në gropë”.

Por prioritare për opozitën është situata e vështirë ekonomike që po kalon vendi për shkak të pandemisë së Covid-19. Pas një takimi që pati me përfaqësues të shoqatës së biznesit të vogël, Basha akuzoi qeverinë se po bën propagandë teksa biznesi i vogël po shkon drejt falimentimit.

Për përfaqësuesit e biznesit të vogël dy paketat e dhëna nga qeveria janë ndihmë sociale që nuk ndihmon aspak për daljen e tyre nga kriza. Ndaj ata propozojnë disa masa shtesë.

Sipas Shoqatës së Biznesit të Vogël nga 300 mijë të punësuar në këtë sektor, vetëm gjysma ka arritur të përfitojë nga dy paketat e qeverisë.

Tv Klan