Basha: Grupi i strukturuar kriminal po e lë qëllimisht pandeminë të përparojë


Basha: Grupi i strukturuar kriminal po e lë qëllimisht pandeminë të përparojë

12:42 17/10/2020

Krizë të dyfishtë, shëndetësore dhe ekonomike thotë kryedemokrati Basha se ka në Shqipëri. Kryetari i selisë blu doli në një tjetër konferencë për shtyp ku përsëriti planin e tij prej 5 pikave për rimëkëmbjen e ekonomisë.

“Nuk do të resht së përsërituri kërkesën që shteti t’u kthejë qytetarëve paratë e taksave në formën e mbështetjes që po marrin edhe qytetarët e vendeve fqinje”, tha Basha.

Kreu i demokratëve tha se një nga arsyet që po përhapet infeksioni në vend është mostestimi dhe mosgjurmimi i kontakteve. Sipas tij paratë janë, por ato shpërdorohen. Basha tha se duhet të ketë rimbursim të plotë të pacientëve që trajtohen në shtëpitë e tyre. Basha shtoi se nuk po jepet bonusi mujor 1000 euroo për mjekët dhe 500 euro për infermierët.

“Paratë që duhet të shkonin për shëndetësinë, përpihen nga afera korruptive”, tha Basha.

Kreu i PD-së përsëriti planin e tij për një çek 1000 euro për biznesin e vogël për daljen nga kriza. Sa i përket inceneratorëve Basha tha se janë afera të pastra kriminale. Për të, është një grup i strukturuar kriminal që po e lë me qëllim pandeminë të përparojë.

“Është e qartë se përpara kemi një grup të strukturuar kriminal i cili po e lë me qëllim pandeminë të përparojë, po e lë me qëllim krizën të përparojë në mënyrë që këto para që sot mund të shërbenin për të forcuar shëndetësinë, për të forcuar kujdesin ndaj njerëzve në nevojë dhe për të ndihmuar njerëzit në nevojë, t’i vjedhë dhe t’i gllabërojë. Dhe këto janë llogaritë e grupit të strukturuar kriminal të Edi Ramës”, tha Basha, sipas të cili kryeministri nuk ka plan për pandeminë dhe as për ekonominë.

Sa i përket akuzave të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Basha tha: Për të tre gënjeshtrat e vemjes që bëhen për të shmangur vëmendjen  nga aferat e tij dhe të shefit të tij është dorëzuar padi në prokurori, Për të tre aferat e inceneratorëve, fytyra dhe zëri i gënjeshtrës nuk do të shpëtojnë nga hetimi dhe ndëshkimi. Do t’i gjurmojmë të gjitha paratë e drogës të pastruara në ndërtimet shumëkatëshe në Tiranë./tvklan.al





Të ngjashme