Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndodhet në Fier këtë të martë. Kreu i opozitës u prit nga dhjetëra qytetarë. Ndryshe nga herët e tjera, ai mbajti një fjalim mbi karrocerinë e një makine. Basha u shpreh se po vjen era e ndryshimit.

“Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, fierake dhe fierakë, më keni falur gjatë këtyre ditëve emocione të jashtëzakonshme, por asnjëherë si sot me këtë pritje të mrekullueshme, me këtë entuziazëm që ka nisur dhe që nuk ndalet. Era e ndryshimit po fryn kudo në Shqipëri dhe e shoh në sytë e mbarë shqiptarëve, e dëgjoj në zërin tuaj, e dëgjoj me brohoritjet e fierakëve dhe lushnjarëve, e prek tek entuziazmi i rinisë. Era e ndryshimit po vjen, një ndryshim pozitiv, një çlirim shpirtëror, një çlirim nga stresi që na ka përfshirë këto tetë vite, një çlirim nga depresioni. Era pozitive e ndryshimit do të sjelli për çdo shqiptar mundësi, punësim dhe pozitivitet, Ju falënderoj nga zemra! Unë e di se kur era e ndryshimit fryn, kur shpirti juaj mbushet me besim, me shpresë se një e nesërme më e mirë po troket, se 25 prilli do të jetë një ditë e mirë për çdo shqiptar”, tha Basha.

Shumica e qytetarëve të pranishëm gjatë vizitës së Bashës nuk i respektonin masat e pandemisë siç janë distanca dhe maskat. Kreu i opozitës u bëri thirrje që të zbatojnë rregullat dhe kushtet ku zhvillohet fushata.

“Kjo na bën të gjithëve bashkë, por dua t’ju lus nga zemra të vazhdojmë të respektojmë maksimalisht kushtet në të cilat ndodh kjo fushatë. Të mbajmë maskat, të mbajmë distancën, por ama të çojmë edhe më lart frymën e shpresës, frymën e ndryshimit, frymën e fitores që së bashku do ta bëjmë të mundur që të fitojmë. Bashkë do të fitojmë, bashkë Shqipëria do të fitoje, Fieri do të fitojë”, tha Basha.

Kreu i demokratët ftoi qytetarët që të votojnë Partinë Demokratike pasi sipas tij vetëm kështu mund të vijë ndryshimi. Ai garantoi se që prej ditës së parë do të jetë në shërbim të njerëzve.

Vizita e kryedemokratit Lulzim Basha ishte parashikuar për t’u realizuar të hënën, por u anulua në nder të ish-kryeministrit Bashkim Fino, i cili ndërroi jetë për shkak të koronavirusit. /tvklan.al