“Po zhyt PD në humnerë për interesa personale”

“Ju garantoj se javën që vjen do shpallim datën e Kuvendit dhe do mblidhemi të sigurte në të drejtën tonë statutore.”

Pa kaluar 24 orë nga kjo deklaratë e Sali Berishës, Lulzim Basha u shfaq në një konferencë për shtyp, duke ia thënë prerazi liderit historik të demokratëve se nuk do të lejojë mbajtjen e asnjë strukture paralele.

“Kuvend Kombëtar që të marrë shqyrtim vendime të qeverisë amerikane nuk ka për të pasur sa të jem unë kryetar i partisë dhe qëllimi të paktën për momentin është të përfundoj mandatin që ma dhanë nga shumica dërrmuese e demokratëve duke çuar këtë parti drejt objektivave të saj. Këtë kam thënë dhe i qëndroj 100%. Sali Berisha nuk ka ndonjë mbifuqi nga statuti i partisë për të njoftuar apo thirrur asnjë institucion të partisë. Partia ka institucionet e saj dhe statut. Sali Berisha mund të thërrasë institucione paralele në përpjekjen e tij për ta bërë partinë bunker për hallet e tij personale, por demokratët kanë halle të tjera dhe prioritetet të tjera. Kuvend Kombëtar kam thirrur dhe do të thërras pa asnjë shqetësim sa herë të ketë çështje statutore për të vendosur. Por institucione paralele dhe bunker nuk thërras dot”, tha Basha.

Sali Berisha e akuzon si peng të kryeministrit, por kryedemokrati pas foltoreve të këtij të fundit sheh vetëm interesat personale për të bunkerizuar Partinë Demokratike.

“Kur bëhet fjalë për interesin e shqiptarëve unë jam peng vetëm i Perëndisë, vetëm i Zotit. Dhe me thënë të drejtën, Zotit mund t’i kem hyrë në hak, por Sali Berishës jo. Për 3 muaj kam bërë çmos me përpjekjen time për ta zgjidhur këtë çështje. Jam ulur shumë herë me Berishën për të gjetur një zgjidhje që ndihmonte atë dhe nuk dëmtonte PD. Kam pritur, që siç kishte deklaruar vetë, këtë betejë ta bënte në mënyrë personale pa përshirë PD dhe as grupin parlamentar. Kur këtë vendim nuk e konkretizoi, me hapin që do ta bënte ndryshimin mes fjalës dhe veprës, atëherë kam marrë të njëjtin vendim që ishte në favor të PD dhe demokratëve dhe mbi të gjitha në interes të shqiptarëve. Një person përpiqet të bëjë gjithçka që të marrë një parti peng vetëm për interesat e tij personale”.

Përgjigje i dha edhe deklaratës së bërë nga Berisha lidhur me vettingun në politikë, që e etiketoi Bashën skllav të Edi Ramës. Këtij të fundit i kujton edhe rritjen në sondazhe vetëm brenda tre ditëve në raport me të.

E sa për deklaratën e Berishës që la të hapur mundësinë marrjes së drejtimit të Partisë Demokratike, Basha nuk duket aspak i shqetësuar. Basha tha se është i hapur për mendimin kritik, por prerazi u shpreh se çdo deklaratë që shkelmon interesat e demokratëve do të marrë ndëshkim deri me përjashtim nga partia.

Tv Klan