“Propagandë me pandeminë, tani duhet të largohet”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, thotë se në 8 vite qeveria e Edi Ramës njohu vetëm dështim në sektorin e shëndetësisë. Duke iu referuar konferencës për shtyp të kryeministrit, Basha tha se e vërteta është se sistemi shëndetësor është në kolaps.

“Ku është shëndetësia falas sot, ku kanë shkuar taksat? Taksat janë rritur, faturat janë rritur, pandemia e nxori zbuluar dështimin total të Ramës. Gjatë këtyre 8 viteve shqiptarët kanë paguar faturën. Pacientët shqiptarë e kanë parë dhe provuar këtë për 8 vite me radhë, tani gjatë pandemisë e panë të gjithë shqiptarët, se si Shqipëria ka një sistem shëndetësor në kolaps.

Basha nuk i kurseu etiketimet edhe kur foli për korrupsionin në sistemin e shëndetësisë.

Tirja është produkti i vetëm i Ramës në këto 8 vite, sepse vetë Rama është ‘kryeTire’. Zhvat qytetarët. Tani në fund të 8 viteve del dhe rri 3 orë në ekran për të treguar se çfarë do të bëjë, kur kishte 8 vite në dispozicion”.

Kreu i opozitës thotë se zgjidhje është programi i saj për shëndetësinë.

“E rëndësishme është se çfarë do të bëjmë për të dalë nga gropa ku e ka futur Rama shëndetësinë dhe rruga kalon përmes planit tonë, që është konkret. Së pari, rroga për mjekët e infermierët, që të ndalet largimi masiv i tyre, shtimi i numrit të mjekëve dhe infermierëve.

Basha tha se Rama bën propagandë me pandeminë dhe se vendi ynë ka mbetur i fundit në rajon për testimet dhe për ndihmën ekonomike për biznesin e prekur nga pandemia.

Tv Klan