Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i ka kthyer një përgjigje direkte kryeministrit Edi Rama, i cili deklaroi këtë të mërkurë se nëse të dielën do të zhvillohen zgjedhje, PS do t’i fitojë më thellë se në 2017-n.

Kryeopozitari u shpreh se Rama ka frikë dhe e di që do të humbë, ndërsa opozita do të fitojë thellë më 25 Prill. Basha u shpreh se djegia e mandateve në 2019-n pati si qëllim zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Sipas tij, Rama i vënë në panik ka kërkuar që të marrë edhe komisionerët e opozitës si dhe ka prishur marrëveshjen e 5 Qershorit.

“Ne kemi dy vjet që kërkojmë zgjedhje të parakohshme. Ne dogjëm mandatet, për zgjedhje të parakohshme. Pse nuk i bëri zgjedhjet e parakohshme? Pse ky njeri që kontrollon edhe parlamentin, edhe qeverinë, edhe policinë, edhe shërbimin sekret, edhe buxhetin, edhe paratë e pista të drogës, edhe bandat kriminale, edhe oligarkët, edhe shumicën e mediave, pra kontrollon gjithçka në këtë vend donte t’i merrte edhe komisionerët opozitës në qoftë se qenka kaq mirë me sondazhet! Pse hodhi në erë paktin e nënshkruar në rezidencën e ambasadës amerikane të përshëndetur nga sekretari Pompeo, nga përfaqësuesi i lartë Borreli, nga komisioneri për zgjerimin Varhelyi dhe në këtë mënyrë i mbylli derën Shqipërisë për të nisur negociatat e anëtarësimit sa kohë që ky është në pushtet. Ndërkohë që sondazhet i dilnin në rregull, pse? Këto janë deklaratat e një njeriu në panik dhe të një gënjeshtari të kapur në mënyrë të përsëritur në flagrancë. Edi Rama ka mbaruar është çështje kohe dhe sa më shpejt aq më mirë. Opozita do t’i fitojë thellë zgjedhjet dhe do ta përdorë këtë fitore për t’i kthyer çdo shqiptari shpresën dhe sigurinë për të nesërmen dhe për këtë ditë për ditë po bëjmë detyrën tonë jo vetëm duke denoncuar, por duke treguar rrugën e vështirë, por jo të pamundur të rikthimit të Shqipërisë në duart e shqiptarëve dhe jo një bande”, tha Basha./tvklan.al