Njëri nga Twitter-i, e tjetri nga mbledhja e qeverisë. Kështu replikuan këtë të martë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Kryeministri Edi Rama pas akuzave të selisë blu se janë shpërndarë 1.2 mln maska të skaduara duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve.

Kryeministri tha se maskat kanë ardhur nga Kanadaja. Sipas Ramës ato maska “përdoren gjerësisht pas datës së skadencës, jashtë sallave kirurgjikale sepse në sallë nuk e kanë të gjithë efetkshmërinë e tyre, dhe janë maska që e ezaurojnë disa herë më mirë garzat apo facoletat që vendosen para fytyrës për vetëmbrojtje apo mbrojtjen e tjetrit në kontaktin e një gjendje të caktuar gripale dhe epidemike”.

Në një reagim të fundit sërish nga Twitter-i, lideri i demokratëve, deklaroi se jemi në një situatë emergjente dhe jo lufte siç u shpreh kryeministri. Ai u shpreh se kreu i qeverisë pranoi të vërtetën në lidhje me maska. Ai i bëri thirrje kryeministrit që të sigurojë jetën e shqiptarëve dhe të mos bëjë lojëra fjalësh.

“Nuk jemi në luftë, jemi në situatë emergjence që kërkon seriozitet dhe përgjegjshmëri. Dhe jo shfaqje me maska të skaduara mbi fytyra të skaduara. Më në fund e pranoi të vërtetën. Maskat janë të skaduara. Si të tilla ato nuk mund të jenë masë mbrojtëse për personelin mjekësor. Edi Rama mblidh mendjen dhe siguro jetën e qytetarëve! Lëri lojrat e fjalëve dhe fokusohu tek problemi kryesor që kanë sot shqiptarët”, shkruante Basha./tvklan.al