Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndalesën e radhës e pati në qytetin e Delvinës.

Duke bërë thirrje për një bashkim të madh drejt ndryshimit, Basha tha se vota për numrin 9 do të bëj të mundur arsimimin dhe punësimin e rinisë të Delvinës e të mbarë Shqipërisë, do të bëj të mundur rritjen e pagave dhe pensioneve, investimet e huaja, turizmin dhe zhvillimin ekonomik.

Gjatë fjalës së tij, kreu i demokratëve iu përgjigj negativisht ftesës së Ramës për bashkëpunim. Basha tha se Rama kërkon të futet në qeveri me opozitën pasi e di që e pret humbja.

“Mos ia hapni derën dështimit për herë të tretë. Nuk ka kërcënim më të madh për familjet shqiptare, nuk ka kërcënim më të madh për Shqipërinë sesa edhe 4 vite të tjera si këto 8 vite që e lanë Shqipërinë në vendnumëro. Ai e kupton, e ka mësuar tashmë se më 25 Prill shumica dërmuese e shqiptarëve do të votojnë për ndryshimi, do të votojnë për numrin 9, do të votojnë për Aleancën e Ndryshimit. E ndjen etjen tuaj për ndryshim. E kanë kuptuar shpresën që është rindezur në zemrat e shqiptarëve se ne mund ta bëjmë realitet punësimin për rininë. Se ne do ta bëjmë realitet hapjen e negociatave brenda 100 ditëve të para të qeverisjes së re. Ai e kupton se ne do të mund të bëjmë realitet të gjitha zotimet tona. Ndryshe nga premtimet e 8 viteve që nuk i mbajti, por i shkeli një nga një. Tani kërkon të bëhet pjesë e qeverisjes tonë. Përgjigjja ime nga Delvina, njësoj si nga Saranda është jo! Nuk ka për të ndodhur, koha e Edi Ramës ka mbaruar! Erdhi dita për votën tuaj, për ndryshimin, për shpresën, për rindezjen e besimit në familjet tuaja, në tokat tuaja, në pronat tuaja, në këtë trevë të mrekullueshme! Ndryshimi nuk vjen pa larguar Edi Ramën! Këtë e dini ju, këtë e di ai, këtë e di gjithë Shqipëria! Ndaj vëllezër dhe motra, te bëhemi bashkë krah për krah si një familje e madhe, duke përfshirë qindra e mijëra socialist të ndershëm, t’u themi dhe atyre se ndryshimi që po vjen më 25 prill nuk do të na ndaj, por do të na bashkoj, se qeveria e ardhshme do të jetë qeveria e njerëzve të thjesht dhe se unë do të jem kryeministër i të gjithë shqiptarëve. Të gjithë do të përfitojnë nga ndryshimi i vërtet në arsim, në shëndetësi, në ekonomi, në bujqësi, në rritjen e rrogave dhe pensioneve, sepse ky vend i mrekullueshëm, njësoj si Delvina, kjo trevë e krenarisë dhe e punës i ka të gjitha mundësitë që të bëjmë këto mundësi të punojnë për njerëzit e Shqipërisë. Që Shqipëria dhe pasuritë e saj të prodhojnë mirëqenie dhe pasuri për të gjithë shqiptarët”, tha Basha.

Kryeministri Edi Rama tha ditën e premte se ftesa ndaj Bashës nuk ishte për bashkëqeverisje, pasi sipas tij shumica socialiste do të fitojë zgjedhjet e 25 Prillit. /tvklan.al