“Fituesi i Fierit pa ofertë financiare. SPAK të hapë gojën”

Lulzim Basha doli përpara mediave për të denoncuar një tjetër aferë korruptive sipas tij nga qeveria me inceneratorin e Elbasanit që në kulmin e akuzave dhe pas padisë së opozitës në SPAK ka marrë nga qeveria 300 milionë lekë. Duke e quajtur këtë një vjedhje të hapur Basha i bëri një apel të drejtpërdrejtë kreut të SPAK.

“Zoti Kraja dhe të nderuar prokurorë të SPAK-ut, hapeni gojën. Tregojuni shqiptarëve që po ju vidhet ditë për ditë buka e gojës. Para dy ditësh 300 milionë Lekë të tjera për inceneratorin e Elbasanit. Ai keni nisur apo jo hetimet? Në çfarë faze janë hetimet? Pse nuk janë thirrur të dyshuarit kryesorë? Çfarë ju pengon të bëni detyrën sipas ligjit?”

Akuzat i vijoi edhe për inceneratorin e Fierit duke u shprehur se në garën për përzgjedhjen e fituesit mungonte një detaj i rëndësishëm siç është oferta financiare.

“Nuk është kriter çmimi. Se sa do kushtojë e gjitha, dhe cila do të jetë vlera e investimit nuk është fare kriter. Më mbetet të falënderoj Klodianët, Zoton dhe Mërtirin që nuk na e kanë vënë taksën 500 mln se mund ta vidhnin. Faleminderit që na keni vjedhur kaq pak”.

Kreu i opozitës akuzoi qeverinë se paratë po shkojnë për koncesione korruptove dhe kjo ka bërë që FMN ta rendisë vendin tonë të fundit në Europë për shpenzimet e pandemisë.

“Shqipëria ka investuar vetëm 0.86% për t’u përballur me pandeminë dhe pasojat ekonomike të saj. Është vendi i fundit në botë”.

Basha tha se pas aferave të inceneratorëve qëndron Kryeministri Rama dhe për këtë solli në vëmendje takimin elektoral që kreu i mazhorancës zhvilloi në inceneratorin e Elbasanit.

“Është hera e parë në historinë politike të Europës që drejtuesi i një force politike e mbledh atë forcë politike në një vendgrumbullim plehrash. Ka shkuar te vendi i krimit për të mbrojtur krimin e tij ndaj shqiptarëve”.

Në konferencën e përditshme për shtyp kreu i opozitës u pyet edhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjes lidhur me çështjen e kufirit detar me Greqinë në gjykatën ndërkombëtare. Për Bashën kjo është zgjidhja e vetme, por e cilësoi të papërshtatshme çuarjen e dosjes nga pala shqiptare 6 muaj para mbajtjes së zgjedhjeve.

Tv Klan