Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për mes një postimi në rrjetet sociale thotë se propozimet e tij për krizën e koronavirusit, por edhe për atë të tërmetit kanë qenë të bazuar në dy parime: “Mos kurse asgjë përpara shëndetit të njerëzve dhe rimëkëmbjes ekonomike të vendit” dhe “Mos propozo kurrë diçka që nuk do ta bëje dot vetë”.

Mirëpo sipas kreut të opozitës ditët që po kalojmë janë të paprecedenta. Basha thotë se për çdo propozim ekonomik që ka bërë ka pasur në fokus njerëzit, familet e tyre dhe ekonominë.  

Ai shprehet se qeveritë dhe opozitat anembanë botës po përpiqen për të gjetur mënyrën më efikase për të ndalur përhapjen e virusit, si edhe për të mbështetur qytetarët dhe bizneset që ta tejkalojnë sa më lehtë. Sipas tij, çdo vend tjetër po vendos në dispozicion një buxhet të mjaftueshëm për përballimin e krizës dhe po aplikojnë politika fiskale dhe monetare në mbështetje të ekonomisë.

“Këto masa fiskale lehtësuese u vijnë në ndihmë si sipërmarrësve të vegjël, ashtu dhe punëtorëve të tyre. Në fund të ditës, gjithsecili duhet të paguajë një qira mujore dhe të ushqehet. Ku do t’i gjejnë paratë për këtë, nëse nuk punojnë gjatë këtyre ditëve? Po për taksat që do të paguajnë tani në mars ku do t’i gjejnë paratë, kur bizneset janë mbyllur”, pyet Basha.

Për kreun e Partisë Demokratike “është jo njerëzore” që të sulmosh opozitën në këtë periudhë.

“Propozimet tona janë realiste dhe të zbatueshme nëse ka mirëmenaxhim, kompetencë dhe transparencë”, thotë Basha.

Sipas tij, Shqipëria ka nevojë të përballojë emergjencën shëndetësore që ka krijuar kriza me koronavirus. Prandaj paratë e çuara dëm me koncesione sipas tij u duhet të angazhohen në dy fusha: mbështetje sociale dhe fonde shtesë për shëndetësinë.

“Ndërkohë, të tjera PPP të padobishme dhe inefiçente duhet të anulohen dhe paratë t’i shkojnë për mbështetje fiskale dhe financiare biznesit që sot ka mbyllur dyert.

Jeta nuk ka çmim, ndaj unë sot nuk dua të përfshihem në batuta bajate që nuk të çojnë asgjëkundi dhe nuk ofrojnë asnjë zgjidhje. Ne si opozitë do të vazhdojmë të mirëinformojmë njerëzit, të kërkojmë e të bëjmë transparencë sa të mundemi dhe të ofrojmë zgjidhje dhe alternativa për tejkalimin e kësaj gjendje. Me batuta nuk qeveriset vendi, nuk ushqehen njerëz, nuk shpëtohen biznese dhe nuk rimëkëmbet ekonomia”, thotë Basha./tvklan.al