Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me të rinj në Qytetin Studenti. Ai tha se problemi më i madh i keqmenaxhimit të pandemisë është mungesa e testimeve. Kreu i opozitës u kërkoi studentëve që të bëjnë ç’të munden që të mbrojnë moshat e mëdha, që janë edhe më të riskuar nga koronavirusi.

Kreu i demokratëve dha edhe shembullin e tij pasi deklaroi se ka rreth 1 muaj e gjysmë që nuk takon prindërit që t’i ruajë ata. Të njëjtën gjë ka bërë edhe gjatë ditëlindjes së të atit para disa ditësh, ku nuk mundi as ta uronte nga afër.

“Të bëjmë gjithçka të mbrojmë njerëzit e rrezikuar. Nuk më vjen zor të them se po mbushet 1 muaj e gjysmë që s’i kam parë prindërit. I ruaj jo se nuk më merr malli, më merr shumë malli. Madje para dy ditësh kishte ditëlindjen im atë dhe nuk ka gjë më të dhimbshme se sa mos të kesh mundësinë ta urosh së afërmi. E bëj për ti ruajtur ato. Kështu duhet të bëjmë të gjithë”, tha Basha.

Basha i bëri thirrje qeverisë që të lërë sulmet politike e propagandën dhe të marrë masat për pandeminë./tvklan.al