Fatura e premtimeve të mia 400-500 milionë euro në vit”

Në 25 Prill është i bindur që Edi Ramën shqiptarët do ta largojnë me votë masive dhe se programin e tij qeverisës e shohin si alternativë të besueshme.

“Është një votë për një përqasje që zgjidh problemet e shqiptarëve, ku nuk ka më premtime boshe”.

Angazhimet e tij i duken ambicioze, por ku do t’i gjejë Lulzim Basha paratë dhe sa është fatura e përllogaritur për realizimin e tyre?

“Plani ynë ekonomik i përshkallëzuar në vite ka një faturë nga 400-500 milionë euro në vit”.

Pjesë të programit thotë se ka edhe rindërtimin.

“Edi Rama është ai që e ka mbajtur rindërtimin peng dhe e ka përdorur për interesa elektorale. Lulzim Basha nuk do ta përdorë për interesa politike rindërtimin”.

Ka zgjedhur të kandidojë në qarkun e Tiranës, zonë ku thotë se e ka mundur Edi Ramën në zgjedhjet për Bashkinë në vitit 2011.

“Unë zgjedh të kandidoj në qarkun ku jam votuar për herë të parë deputet. Kjo është zgjedhja ime. Nëse Edi Rama do të më sfidojë në qarkun ku ka humbur është i mirë se pritur këtu dhe kudo tjetër”.

Basha përjashton prerazi çdo mundësi bashkëqeverisje me Edi Ramën, duke e cilësuar largimin e tij si të vetmen rrugë për rimëkembjen e vendit.

Tv Klan

Intervista e plotë e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha

Pyetje: Pse besoni se me 25 prill do ju votojnë shqiptarët?

Lulzim Basha: 25 prilli do të jetë dita kur shqiptarët do të largojnë Ramën dhe do të fitojnë veten e tyre, Shqipëria do të fitojë dhe Rama do të humbë. Këtë e shohim në të gjitha sondazhet. Këtë e shohim në takimet që bëj kudo në Shqipëri, në mesazhet që marr nga njerëzit. Ka një vendosmëri të shqiptarëve për ta kthyer 25 prillin në një ditë ku tashmë do të fitojnë ata, familjet e tyre, ku do të fitojë Shqipëria. Kjo është e padiskutueshme.

Gazetarja: Prisni një votë ndëshkuese ndaj zotit Rama siç ka ndodhur me të gjitha qeveritë mandatin e dytë apo vërtet mendoni se shqiptarë ju besojnë si alternativë qeverisëse?

Lulzim Basha: Vota pro meje, pro Partisë Demokratike nuk është thjeshtë një votë kundër Ramës. Është një votë për një përqasje që zgjidh problemet e shqiptarëve, ku nuk ka më premtime boshe. Shqiptarëve iu ka ardhur në majë të hundës me 8 vite premtime boshe, premtime të parealizuara, dështime të cilat kanë çuar në varfërimin e shumicës dërmuese të shqiptarëve dhe pasurimin e një grushti qeveritarësh dhe klientësh të lidhur me ta. Prandaj 25 prilli do të jetë ku shqiptarët do të votojnë për veten e tyre, për familjet e tyre, dhe me këtë votë do të fitojë Shqipëria. Do të fitojnë shqiptarët. I vetmi që do të humbë dhe do të largohet është Edi Rama.

Gazetarja: Unë në fakt e kam parë me shumë vëmendje programin tuaj elektoral dhe më duket shumë ambicioz në plan të parë, por si do ta realizoni pasi zotoheni se do të përmbushni angazhime të tipit: paga 700 euro, 1 mijë euro, 1300 euro..?

Lulzim Basha: Ky program siç ju e dini dhe siç iu kam informuar për më shumë se 2 vjet, nuk është rezultat i një pune të shkurtër dhe një grupi të ngushtë njerëzish . Ne jemi konsultuar me qindra nga specialistët më të mirë të çdo fushe. Të shëndetësisë, arsimit, ekonomisë. Kemi marrë ekspertizën e tyre, kemi marrë ekspertizën perëndimore, të cilët na kanë ndihmuar për të parë problemet reale të vendit, por edhe zgjidhjet reale. Zgjidhje të cilat do të funksionojnë, jo premtime boshe të cilat nuk do të mbahen. Ka qenë një proces jashtëzakonisht profesional, i gjatë, i vështirë, por ama angazhimet që përmban plani ynë i punës janë angazhime konkrete. Ky plan nuk ka asnjë premtim ka vetëm angazhime konkrete të cilat do të përmbushen sepse asnjë angazhim nuk qëndron në vetvete po është pjesë e zhvillimit ekonomik e klimës së biznesit që do të sjellë investime të huaja, do të hapë vende të reja pune, do ta rikthejë Shqipërinë në parametra normale të zhvillimit në të cilat Shqipëria nuk do të jetë siç është deri më sot, në çdo fushë, në veçanti në fushën ekonomike, e fundit në rajon por do të arrijë të konkurrojë denjësisht, së pari me vendet e rajonit dhe pastaj më tej dhe absolutisht kur ta konkurrojë me vendet e rajonit ekonomikisht gjë që këto tetë vite Rama ka dështuar ta bëjë do të konkurrojë edhe me paga dhe pagat që ju sapo cituat por edhe angazhimet e tjera që plani ynë parashikon janë të barabarta.

Lulzim Basha: Pra pagat që ju cituat janë mesatarja e pagave të rajonit, nuk ka asnjë premtim për mrekulli plani ynë, po ka normalitet, angazhim për normalitet i cili do të arrihet pikërisht duke mundësuar që edhe Shqipëria të ketë të njëjtat ritme të zhvillimit ekonomik si të gjithë vendet e tjera fqinje dhe pse jo në të ardhmen edhe më mirë.

Gazetarja: Ku do t’i gjeni paratë zoti Basha se ju flisni që ekonomia është në greminë, kryeministri Rama e cilëson të parealizueshëm këtë program, thotë është njësoj sikur të rrisësh prodhimin e djathit duke ulur prodhimin e qumështit ?

Lulzim Basha: Së pari Edi Rama është i fundit që duhet të merret për bazë kur flitet për ekonominë. Edi Rama e shkatërroi ekonominë Shqiptare. Edi Rama është njeriu përgjegjës për shkatërrimin e ekonomisë së vendi dhe ekonomive familjare të Shqiptarëve dhe arsyeja është fare e thjeshtë, po të vjedhësh qumështin sigurisht që nuk do të prodhosh dot djathë. Në qoftë se ministrat trefishojnë me letra pasurinë në shtatë vite siç pamë nga raportet e fundit të BIRN-it ndërkohë që të gjithë Shqiptarët e tjerë varfërohen atëherë kuptohet fare qartë ku është problemi. Shqipëria nuk është e varfër, Shqipëria është e vjedhur dhe të gjitha këto angazhime që ne ndërmarrim, të gjitha këto angazhime të cilat parashikohen në planin tonë konkret të punës janë produkt i reformave të cilat do të mundësojnë që Shqipëria t’ju kthehet shqiptarëve dhe mos ti takoj më një grushti qeveritarësh apo një grushti klientësh të qeveris të cilët janë përfituesit e vetëm gjatë këtyre 8 viteve ku ka humbur Shqipëria dhe ka fituar vetëm Rama dhe ky grusht njerëzish. Prandaj themi në 25 Prrill Shqipëria Fiton i vetmi që humbë dhe që largohet është Edi Rama.

Gazetarja: A keni bërë ju një përllogaritje sa është fatura e programit tuaj elektoral pasi ju flisni për një ndryshim rrënjësor në sistemin fiskal, në shëndetësi, në arsim në bujqësi.

Lulzim Basha: Po, patjetër që po dhe është në shifrat nga 400 deri në 500 milionë euro në vit. Po ki parasysh të lutem raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit i cili flet për 1.2 miliardë euro çdo vit të shpërdoruara nga kjo qeveri. Ndërkohë që plani ynë ekonomik i përshkallëzuar në vite ka një faturë nga 400 deri në 500 milionë euro në vit. Gjithçka është e llogaritur. Ç’është më e rëndësishmja të kuptohet është nuk bëhet fjalë për premtime asnjëri prej angazhimeve që kemi ndërmarrë nuk është një premtim ndaj shqiptarëve po është produkt i një plani të mirë menduar dhe siç ua thashë të kostuar dhe njëherë kosto vërtitet midis 400 dhe 500 milionë euro në vit. Përshkallëzohet nga viti në vit sepse disa shpenzime rriten nga viti në vit por vit për vit nga viti 2014 deri më sot vetëm sipas KLSH qeveria e Edi Ramës ka shpërdoruar dhe ka vjedhur 1.2 miliardë euro. Prandaj me reformat tona jo vetëm do të mundësohet të paguhet për rritjen e rrogave dhe të pensioneve por do të mundësohet mbi të gjitha angazhimi ynë më i madh që është një Shqipëri me një klimë biznesi që do të mundësoj punësim, 110000 vende të reja pune dhe me fokus të veçantë punësimin e të rinjve për të ndalur plagën më të madhe që ka vendi sot, katastrofën kombëtare do të thoja që është emigracioni i të rinjve.

Gazetarja: Dhe cila është shtylla më e fortë e programit eklektoral të Partisë Demokratike?

Lulzim Basha: Fakti që nuk është një program elektoral, fakti që është një program pune, që kemi 2 vite që e punojmë, s’kemi pritur për ditën e zgjedhjeve të dalim e të deklarojmë më premtime siç ndodhi para 8 vitesh të pambajtshme dhe të pambajtura, por që është një plan pune mbi të cilin kanë punuar dhjetëra faktorë, shikoni vetëm për planin ekonomik janë bërë mbi 120 konsultime, mbi 40 shoqata të biznesit, sipërmarrjes, investitorëve të huaj, dhoma të tregtisë, konfindustrias, të sektorëve të veçantë të eksportit të prodhimit të biznesit të vogël. Për një periudhë 1 vit e gjysmë janë konsultuar, kanë qenë pjesë e këtij programi, shtylla më e fortë është që ky nuk është një program elektoral, por është një plan konkret pune me angazhime konkrete për secilën prej fushave siç po shpaloset

Gazetarja: Cila nga angazhimet që keni ndërmarrë do i jepni firmën e parë sapo të qeverisni.

Lulzim Basha: Shqipëria është në emergjencë dhe kjo do të thotë që ditën e parë të gjitha fushat që në të cilat ne kemi marrë angazhimet tona, mua më pret detyra e marrjes së këtyre angazhimeve formalisht, qofshin këto në sektorin social, të shëndetësisë, të arsimit, të ekonomisë, të afërsisë për secilin prej sektorëve ku ne kemi përgatitur tashmë në mënyrë të detajuar planet që ditën e parë apo që ditët e para do të ketë veprime konkrete që do konsistojnë në dy fusha: së pari hedhjen e firmës për të jetësuar angazhimet tona karshi të gjithë kategorive ku i kemi ndërmarrë këto angazhime dhe së dyti zhbërjen e të gjithë atyre ligjeve, akteve të cilat në këto 8 vite të qeverisjes së Edi Ramës i kanë vënë lakun në fyt 99% të shqiptarëve, shumicës së shqiptarëve dhe për të kthyer këtë ditë, ditën e parë apo javën e parë në ditën e parë edhe javën e parë ku fiton Shqipëria dhe fitojnë shqiptarët, gjë që do të vazhdojë pastaj muaj pas muaj në 100 ditshin e parë, muaj pas muaji ne do të vlerësojmë ku jemi në raport me këto angazhime dhe një gjë ju garantoj, pas 4 vitesh, kur të ballafaqohem me shqiptarët do të kem ose mbajtjen tërësore të angazhimeve të mia për të cilin kam bindjen të plotë ose do të vendos një precedent të cilën duhet ta ndjekë tashmë politika shqiptare pas 30 viteve tranzicion. Një kryeministër që nuk mban angazhimet e veta kurrsesi nuk mund të kërkojë një mandat tjetër.

Gazetarja: Ju e thoni me ngulje që e keni mundur kryeministrin Rama në zgjedhjet e vitit 2011 në Bashkinë e Tiranës. Po pse nuk e sfidoni edhe në këto zgjedhje duke kandiduar në qarkun e Durrësit, por keni zgjedhur të kandidoni në qarkun e Tiranës?

Lulzim Basha: Po pse nuk vjen ai të më sfidojë në qarkun e Tiranës meqë ka humbur zgjedhjet në qarkun e Tiranës? Unë zgjedh të kandidojë në qarkun ku jam votuar për herë të parë deputet dhe më kanë besuar detyrën e përfaqësimit në parlament, ku më kanë votuar kryetar të Bashkisë së Tiranës. Kjo është zgjedhja ime. Në qoftë se Edi Rama do të më sfidojë në qarkun ku ka humbur është i mirë se pritur këtu dhe kudo tjetër. Gjithsesi kjo është mbi të gjitha sfida që Shqipëria të fitojë dhe që Shqipëria të fitojë një gjë tashmë është e qartë për çdo shqiptar pavarësisht prej bindjeve politike, duhet të largohet Edi Rama dhe do të largohet në 25 Prill me votën e shqiptarëve.

Gazetarja: E përjashtoni një mundësi bashkëqeverisje me Edi Ramën nëse diktohet nga numrat apo rrethanat e caktuara?

Lulzim Basha: absolutisht e përjashtoj, për arsyen e thjeshtë sepse pas 8 vite dështimesh nuk ke çfarë të presësh apo të kërkosh më nga i njëjti njeri, një njeri që ka pasur të gjitha pushtetet. Askush përveç Enver Hoxhës nuk ka pasur me shumë pushtete sesa Edi Rama dhe ka dështuar, nuk ka mbajtur një premtim të vetëm. Shqipëria nuk mund të ecë përpara pa larguar Edi Ramën. Vetëm largimi i Edi Ramës i hap rrugë ndryshimit me anë të cilit fitojnë shqiptarët dhe fiton Shqipëria.

Gazetarja: Ju kemi parë të prezantoni programin tuaj të qeverisjes për disa sektorë. Por çfarë do të bëjë Lulzim Basha pas 26 Prillit sa i përket çështjes së rindërtimit?

Lulzim Basha: Rindërtimi fillon me largimin e Edi Ramës. Edi Rama është ai që e ka mbajtur rindërtimin peng dhe e ka përdorur për interesa elektorale. Lulzim Basha nuk do ta përdorë për interesa politike rindërtimin dhe do të vendosë në veprim ato që kemi thënë prej ditës së parë që po të kishte pasur vullnetin do ti kishte kryer tani. Shumë familje do të ishin në shtëpitë e rindërtuara në qoftë se do ti ishin dhënë paratë në dorë atëherë kur kërkuam t’iu jepeshin paratë në dorë, shumë të tjera mund të ishin në shtëpi të ndërtuara tashmë që shteti mund ti blinte në vend që të përfshihej, siç është përfshirë në afera të tilla korruptive ku shohim miliona, dhjetëra miliona euro që i jepen drejtpërdrejt pushtetarëve apo familjarëve të pushtetarëve ndërkohë që është dimri i dytë dhe shumica e atyre që kanë humbur banesat vazhdojnë të qëndrojnë në çadra. Pra një gjë është e sigurt që rindërtimi si çdo fushë tjetër, në qeverisjen time dhe në drejtimin tim do të marrë rrugë dhe nuk do të mbetet peng i agjendës politike apo i agjendës personale të kryeministrit.

Gazetarja: Zoti Basha keni premtuar se do ti çoni në një nivel tjetër marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por nga ana tjetër ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka qënë pak kritike ndaj aksioneve të opozitës. Si janë sot marrëdhëniet me selinë e Shteteve të Bashkuara dhe çfarë do të bëjë ndryshe Lulzim Basha?

Lulzim Basha: Ka qenë një kohë kur shqiptarët as nuk iu shkonte në mendje se do hiqeshin vizat, nuk e besonin se do iu hiqeshin vizat. Unë kam qenë ministër i jashtëm kur nisëm dialogun dhe ministër i brendshëm kur hoqëm vizat për shqiptarët. Shqiptarët nuk e besonin se do të futeshin dot në NATO, u futëm në NATO dhe unë punova ngushtësisht në të dy këto procese me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Europian. Ata më njohin dhe unë i njoh shumë mirë. Ata e dinë se tek Lulzim Basha dhe tek Partia Demokratike ka një partner të devotshëm i cili prodhon bashkëpunim dhe prodhon fryte të këtij bashkëpunimi si për shqiptarët dhe Shqipërinë ashtu edhe për interesat gjeostrategjike që na lidhin me partnerët tanë strategjike Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Kjo tashmë është e konfirmuar, por synimi im objektivi im janë i bindur produkti im do të jetë që marrëdhëniet me SHBA dhe me BE do të njohin nivele të reja maksimale sepse Shqipëria nën drejtimin tim ka një objektiv madhor, anëtarësimin e plotë në BE dhe partneritetin më të ngushtë dhe të suksesshëm ndonjëherë më parë me SHBA

Gazetarja: Zoti Basha nëse do jeni në zyrën e kryeministrit çfarëdo t’i ndryshonit godinës së qeverisë pasi kryeministri në fakt është artist dhe si i tillë e ka caktuar edhe selinë e qeverisë, ka një kërpudhë jashtë të cilën e konsideron vepër arti, njihet në fakt zoti Rama edhe kur ishte kryetar bashkie për aredimin si artist të bashkisë dhe të zyrës së tij, nga ana tjetër ka dhe një mini-galeri me të gjitha dhuratat e çmuara që kanë bërë vendet të ndryshme ndaj tij apo ndaj shtetit Shqiptarë, çfarë do të bëni ju me to?

Lulzim Basha: së pari për momentin kryeministria është kthyer siç e thatë dhe ju në një galeri dhe në një muze ku kryeministri sipas raportimeve të medias kishte 120 ditë që nuk shkonte në punë, 120 ditë që nuk shkonte në punë. Tani ta themi midis nesh jo se ditët që shkonte në punë punonte se e kemi parë 8 vite me rrallë cili ka qenë produkti i Edi Ramës kryeministër, por ju garantoj që kryeministria nuk do të jetë muze personal. me mua kryeministër do të jetë vendi ku shqiptarët të jenë të përfaqësuar dhe ta kenë të hapur derën vendi ku zgjidhen hallet dhe problemet e tyre, do të jetë një vend i aksesueshëm për çdo qytetarë shqiptar dhe vendi ku marrin rrugë dhe zgjidhen problemet dhe hallet e tyre të shumta

Gazetarja: Shumë faleminderit!

Lulzim Basha: Faleminderit ju!