Basha: KAS-i po vepron me urdhra politikë të Edi Ramës



Basha: KAS-i po vepron me urdhra politikë të Edi Ramës

15:38 14/05/2021

“Nuk do e njohim procesin e zgjedhjeve, janë të vjedhura”

I bindur se 25 Prilli është një masakër elektorale, Lulzim Basha nuk heziton aspak të hedhë akuza në adresë të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, ku prej ditësh ka nisur shqyrtimi i kërkesave të opozitës për pavlefshmëri të zgjedhjeve në 9 qarqe. Nga Fieri ku vijoi turin e falenderimeve, kryedemokrati tha se KAS-i po vepron me urdhër politik të Edi Ramës.

“Shikoni marifetet që përdorin! Refuzojnë t’ju kërkojnë organeve shtetërore provat e manipulimit. Refuzojnë t’i kërkojnë kadastrës tapitë që kanë ndarë sepse krahasimi qark për qark dhe në nivel kombëtar, i nxjerr haptas dhe në mënyrë flagrante në shkelje kriminale të Kodit Zgjedhor. Refuzojnë të bëjnë të njëjtën gjë me certifikatat e legalizimit, me sigurimet shoqërore dhe punësimet e paligjshme dhe kriminale në fushatë. Refuzojnë të sjellin informacionet e policisë që janë bërë maune me dokumente, me kallëzime, me prova të bashkëpunimit të drejtpërdrejtë të krerëve politikë të Partisë Socialiste me krerët e krimit të organizuar apo të shërbimit informativ ku ka orë të tëra përgjimesh të ministrave të Ramës, duke shkelur ligjin, që do të mjaftonin për t’ju vënë prangat dhe për t’i çuar tani si të pandehur para drejtësisë.”

Ndaj dhe Edi Ramën e paralajmëroi se nuk do të pranojë si qeveri të ligjshme një regjim, që sipas tij ka ardhur në pushtet në shkelje të çdo ligji dhe kushtetutës.

“Nuk do të njihet procesi i tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve, nuk do të pranohet. Për këtë nuk ka pikë diskutimi. Zgjedhjet nuk do të njihen.”

Objektiv kryesor tha se ka vijimin e betejës për të rrëzuar regjim Rama-Doshi, duke hedhur poshtë çdo ftesë për bashkëpunim nga ana e maxhorancës.

“Me të cilin nuk do të ketë asnjë bashkëpunim, por vetëm betejë, asnjë minutë paqe deri në shporrjen e tij dhe deri në kthimin Shqipërisë shqiptarëve”.

Teksa demokratëve të Fierit u kujtoi se beteja për demokracinë nuk do të jetë aspak e lehtë, kundërshtarin e tij politik e paralajmëroi se lufta ndaj tij do të jetë në të gjitha format dhe mënyrat.

Tv Klan










Të ngjashme