Basha: Do rikthejmë shpresën tek të rinjtë



Basha: Do rikthejmë shpresën tek të rinjtë

17:38 24/03/2021

“Më 25 Prill do sjellim ndryshimin për çdo shqiptar”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar ditën e sotme takime me qytetarët në Njësinë 5 në Tiranë. Në bisedën që patën me kreun e opozitës, disa të rinjtë shprehën indinjatën ndaj gjendjes ku ndodhet vendi, ku veçuan mungesën e vendeve të punës që është dhe shkaku kryesor që i shtyn për të emigruar.

Ata i shprehën mbështetjen kryetarit demokrat Basha. Ky i fundit tha se ka dy kushte se si të rinjtë shqiptarë mund të qëndrojnë në vend. Sipas tij, bëhet fjalë për investimet e brendshme dhe të huaja që hapin vendet e punës.

Kreu i opozitës ripërsëriti edhe njëherë premtimin se 5 gjuhë të huaja do të ofrohen online pa pagesë. Po ashtu, shtoi se PD-ja ka lidhur marrëveshje me Aleancën e Universiteteve Europiane për të ndihmuar me financime dhe programe të rinjtë.

Lulzim Basha: Domethënë, çështja qëndron këtu. Që të sigurojë ato vende pune duhen plotësuar dy kusht. Kushti i parë është që të ketë investime të brendshme dhe të huaja. Ato i hapin vendet e punës. Kushti i dytë është që të ketë forcë të kualifikuar sepse siç e the dhe vetë mund të mbarosh universitetin por në qoftë se nuk ke praktikë, në qoftë se nuk ke një profesion, në qoftë se nuk ke bërë një stazh të mjaftueshëm nuk je në gjendje të integrohesh menjëherë në tregun e punës. Dhe kjo është biseda që bëmë dhe u transmetua dje me Komisioneren ku na kishte ftuar një nga universitetet më të njohura të Austrisë, quhet universiteti Modul dhe ne kemi bashkëpunuar me ta. Në qoftë se iu kujtohet para disa muajsh kam thënë që ne s’po presim të vijmë në qeveri. Akoma në opozitë kemi bërë përgatitjet që ditën e marrjes së përgjegjësive qeveritare të fillojmë menjëherë punën. Cilat janë përgatitjet? E para, pesë gjuhë të huaja do të ofrohen online pa pagesë për rininë: anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, spanjisht. Dhe e dyta, në bashkëpunim me universitetet 20 profesione të ndryshme po kështu online që nga trajnimi në fushën e Teknologjisë së Informacionit, tek Administrimi, tek fusha të ndryshme. Kemi lidhur marrëveshje me Aleancën e Universiteteve Europiane, do t’ju ndihmojë qeveria e ardhshme me financime dhe me programe do t’ju ndihmojmë arsimin e lartë, në veçanti arsimin profesional. Dhe jo vetëm për shkak të pandemisë, por edhe për shkak të zhvillimeve mësimi online do të jetë një prioritet absolut, edh  platforma të sigurta dhe mjaftueshëm pajisje, nga tabletat, nga programet në mënyrë që të jetë efektiv jo shkel e shko. Edhe nga qeveria e ardhshme e kam fokus personal, por edhe nga Bashkimi Europian. E konfirmoi edhe Komisionerja për Digjitalizimin dje, nuk e di në e ndoqët në bisedë. Ndoshta ndoqe vetëm reagimet e asaj bisede, por rëndësi kishte biseda dhe biseda është që PE-ja ka ndarë 26 miliardë euro për të ndihmuar Ballkanin për të trajnuar të rinj në fushën e teknologjisë së informacionit dhe ne duhet patjetër të marrim pjesën tonë. Imagjinoni çfarë mund të bëjmë. Do të trajnojmë 5 mijë, 10 mijë të rinj çdo vit në këtë fushë dhe pastaj t’i fusim në tregun e punës ku ju e dini të ardhurat fillojnë nga 800-900 Euro shkojnë deri në 2000-2500 Euro në muaj./tvklan.al







Të ngjashme