Kreu i PD: Do të investojmë 50 milionë euro për infrastrukturën rurale

Kryedemokrati Lulzim Basha është pritur me ovacione në Peqin nga dhjetëra qytetarë. Në një takim të zhvilluar me fermerët në fashtin Pajovë, Basha tha se Partia Demokratike ka gati skemën për subvencionimin e fermerëve, prej 100 milionë eurosh në vit dhe 50 milionë euro për infrastrukturën rurale.

“Ne do të zbatojmë skemën e subvencioneve që muajin e parë të qeverisjes së re që do të votoni më 25 Prill e deri në fund të mandatit, vit për vit minimalisht 100 milionë euro mbështetje të drejtëpërdrejtë për ju. Këto do të jepen të përllogaritura sipas prodhimit dhe llojit të prodhimit. 50 milionë euro të tjera shtesë janë për investime që do t’i bëjmë pikërisht në ato kanale që kanë mbetur pa punuar, t’i vëmë në funksion vaditjet, kullimin, rrjetet e magazinave, rritjen e eksportit”, tha Basha.

Kandidati për kryeministër u zotua se do të heqë traun në Rrugën e Kombit, pasi sipas tij, ka ndikuar në përkeqësimin e marrëdhënieve ekonomike mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ai tha se rikthimi i PD në qeverisje do të bëjë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Një nga vendimet e para do të jetë heqja e traut. Do ta kisha bërë këtë në çdo rrethanë sepse është një pengesë që vihet midis shqiptarëve. Midis ekonomisë së Kosovës dhe ekonomisë së Shqipërisë. Në fakt duhet ta ndërlidhim ekonominë e dy vendeve. Ky ka vënë pengesë”, u shpreh Basha.

Kreu i demokratëve tha se qytetarët në zgjedhjet e 25 Prillit duhet të votojnë PD për t’i dhënë mundësi për zbatimin e planit të punës, teksa tha se largimi i mazhorancës socialiste do i japë fund tranzicionit në Shqipëri.

Klan News