Duke shprehur keqardhje për vendimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit për shpalljen “non grata” të ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit Sali Berisha, Lulzim Basha thotë se duhet bërë transparencë për vendimin.

“Duke nënvizuar qëndrimin e z.Berisha, i cili pasi shpreh keqardhjen për vendimin dhe e konsideron atë pa asnjë bazë konkrete, bëj thirrje për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim. Dr. Berisha është padyshim udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar për zhvillimin e vendit dhe forcimin e demokracisë, dhe çoi miqësinë dhe aleancën strategjike të Shqipërisë me SHBA në nivelet më të larta”.

Më pas Basha sjell në vëmendje se me Berishën Kryeministër, Shqipëria përmbushi të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësimin në NATO, si dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, ku lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar ishin kryekushte.

“Vendimi i Sekretarit të Shtetit nuk cenon arritjet madhore të Shqipërisë nën drejtimin e Sali Berishës, kontributin e tij madhor në demokratizimin e Shqipërisë dhe reformat që e afruan vendin me partnerët tanë Euro-Atlantikë, dhe aq më pak marrëdhënien e shkëlqyer të Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Basha thotë se PD i konsideron Shtetet e Bashkuara të Amerikës aleatin tonë strategjik më të rëndësishëm për Shqipërinë, dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit si prioritet absolut kombëtar duke premtuar që luftë pa asnjë kompromis ndaj këtyre fenomeneve.

Tv Klan