Edhe këtë të enjte opozita nuk lejoi vijimin normal të punimeve të Kuvendit. Fundin e asaj që do të ndodhte në seancë plenare, Lulzim Basha e paralajmëroi që në nisje të fjalës së tij, ku kërkoi praninë në sallë të Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm.

“Kjo seancë nuk vazhdon pa praninë e tyre këtu. Zoti kryetar pezullo seancën dhe thirr këtu Xhafajn dhe Ramën”.

Zgjidhjen për këtë kërkesë të Bashës, kryeparlamentari Ruçi u mundua ta gjente tek rregullorja e Kuvendit.

“Zoti Basha kërko mocion me debat me Kryeministrin, interpelancë me Kryeministrin dhe përnjëherë do shikohet”. “

Bllokimi për afro dy orë i foltores së kuvendit nga Basha çoi tre herë në ndërprerjen e punimeve të kuvendit.

Por edhe pas ardhjes në seancë plenare të Kryeministrit Rama, opozita nuk hoqi dorë nga skenari i saj.

Akuzat për lidhje me krimin e drogën kundërshtarit të tij politik ia kujtoi sërish, të cilin e bëri përgjegjës si e vetmja pengesë në rrugëtimin europian të vendit.

“Këtë të hënë e të martë kam qenë në Berlin i ftuar nga autoritetet gjermane për të diskutuar shqetësimet e tyre se situata politike 6 javë pas largimit të Ramës nga Berlini ka shkuar drejt përkeqësimit, se Tahiri u lirua si pjesë e skemës mafioze dhe e njëjta skemë po ndiqet për vëllezërit Xhafaj dhe se në këto kushte Bundestagu e ka të pamundur të hapë negociatat. Këtë shqetësim ia kanë shprehur gjermanët të martën, qëndrimet e Bundestagut dhe Kancelarive të tjera europiane”.

“Sa për merakun e negociatave, kontribuoni vërtet për hapjen e tyre, mos flisni në emër të Kancelarive se flisni në emër të Gjermanisë por në dijeninë time Gjermania ka vendosur të mbështesë Shqipërinë”.

Bllokimi i foltores e detyroi Gramoz Ruçin të hidhte për votim projekltigjet duke mbyllur seancën plenare.

Pas rrjeteve sociale akuzat i vijoi nga selia blu. Basha foli për një skenar të manipulimit lidhur me hetimet e nisuar nga Prokuroria për audiopërgjimin, në të cilin opozita pretendon se vëllai i minitrit të Brendshëm vijon trafikun e drogës.

“Të dhënat tona të besueshme, të konfirmuara edhe nga disa burime, përfshirë partnerët ndërkombëtarë, konfirmojnë se Fatmir Xhafaj ka paracaktuar rezultatin final të hetimit. Ashtu siç ka urdhëruar dhe paralajmëruar edhe Edi Rama: Audio-përgjimi do të vlerësohet jo autentik, kësaj here edhe me vulë të Prokurorisë Rama-Xhafa-Marku; zëri i Agron Xhafajt do të dal zëri i Arta Markut trafiku i drogës do të konsiderohet eksport bananesh; trafikanti Agron Xhafaj do të shpallet aktor e më pas qytetar nderi; Fatmir Xhafaj do të kurorëzohet ministër kampion në luftën ndaj trafikut të drogës”.

Në një reagim të saj Partia Socialiste thotë se i njëjti fjalim, është përsëritur 5 herë e gjysmë nga Basha pa e zënë me gojë emrin e Babales dhe se e gjithë historia është një sajesë e Saliut dhe e atij vetë.

Tv Klan