Vetëm pak orë pasi Këshilli i Europës vendosi të mos sjellë delegacion vëzhguesish për të monitorur zgjedhjet lokale në Shqipëri, Lulzim Basha në një dalje për mediat e cilësoi tërheqjen e këtij organizimi distancim nga votimet njëpartiake.

Përmes një e-maili drejtuar selive të partive politike, KiE sqaron se shkak për tërheqjen e vëzhguesve janë rreziqet e mundshme të sigurisë në zona të caktuara dhe paqartësisë në lidhje me organizimin e zgjedhjeve vendore. Por Lulzim Basha tha nga selia blu se ky vendim i pari pas rënies së komunizmit është sinjal se për Perëndimin 30 Qershori nuk është ditë zgjedhjesh.

“Tërheqja e Këshillit të Europës, institucionit kryesor europian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe demokracisë, është distancim i qartë nga votimet farsë një-partiake, anti-demokratike dhe anti-kushtetuese që kërkon të bëjë Edi Rama. Ky është një vendim qartësisht politik sepse është një tërheqje që Këshilli i Europës nuk e ka bërë as për zgjedhje të zhvilluara në zona konfliktesh të armatosura apo konflikti civil nga Ukraina në Gjeorgji nga Armenia dhe Azerbajxhani apo edhe gjatë konfliktit të armatosur në Maqedoni. Këtë vendim Këshilli i Europës e ka marrë jo sepse ia ka kërkuar opozita, por sepse 30 Qershori nuk është ligjërisht ditë zgjedhjesh në Shqipëri”.

Kreu i opozitës tha se opozita nuk do të lejojë votime të paligjshme e farsë. Kryedemokrati paralajmëroi se nuk do të ketë asnjë hap pas nga beteja e nisur me shqiptarët në mbrojtje të demokracisë e Kushtetutës.

Tv Klan