Për vendimin e Kolegjit Zgjedhor që rrëzoi dekretin e Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve, Basha tha se dihej prej ditësh dhe se ishte një makinacion i kryeministri Rama. Kreu demokrat theksoi se dekreti i kreut të shtetit mund të shqyrtohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese.

“Me një skenar të trashë, u sajua një kërkesë false, nga një parti false, në bazë të së cilës Kolegji Zgjedhor shpalli një vendim të parapërgatitur nga Edi Rama, për ta shitur edhe jashtë vetë objektit të vendimit. Lehtësia me të cilën ndodhi e gjitha kjo, përpara syve dhe vëmendjes së të gjithë shqiptarëve, tregon jo vetëm kontrollin e plotë që Edi Rama gëzon mbi drejtësinë, dhe mbi çdo institucion të vendit, por edhe shpërfilljen totale që ai ka ndaj ligjit, institucioneve dhe demokracisë.”

Basha tha se plani i kryeministrit Rama për destabilizimin e vendit, do të dështojë.

“Në gjendjen ku kemi përfunduar, Shqipëria rrezikon gjithçka. Shqipëria ka nevojë për siguri, për shtet ligjor dhe për mirëqeverisje. Shqiptarët janë bërë bashkë si kurrë më parë në mbrojtje të demokracisë për të mos lejuar farsën elektorale dhe krimin kushtetues të regjimit autokratiko-kriminal. 30 Qershori është dita kur nis fundi i regjimit të Edi Ramës.”

Basha deklaroi se pa u futur në burg hajdutët e votave dhe pa u larguar kryeministri Rama, opozita nuk do t’i rikthehet asnjë procesi politik në vend.

Tv Klan