“Kurrë nuk kam për ta harruar emocionin dhe gëzimin në familjen time”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përkujtuar 2 Korrikun e vitit 1990, kur në Kosovë u miratua deklarata kushtetuese, e cila do të shënonte forcimin dhe bashkimin e faktorëve shqiptarë në Kosovë nën drejtimin e Ibrahim Rugovës.

Basha shkruan se në atë ditë, qytetarët e Kosovës rindezën pishtarin e lirisë dhe bënë kthesën e madhe për vendin.

“Një ditë e madhe, një ditë e bekuar për shqiptarët në të dyja anët e kufirit”.

Basha thotë se është i bindur që Kosova do të ecë me të njëjtën kurajo dhe vendosmëri drejt ndërtimit të shtetit të fortë demokratik, anëtare e NATO-s dhe BE-së.

Kryeopozitari zbulon se deklarata e 2 Korrikut është pritur me emocion e gëzim edhe për familjen e tij.

“Kurrë nuk kam për ta harruar me çfarë gëzimi dhe emocioni është pritur ai vendim në familjen time, gjysma e së cilës u detyrua të largohej nga Peja dhe Drenica para një shekulli si pasojë e dhunës dhe terrorit”./tvklan.al