Basha kujton Pjetër Arbnorin: Politikani model, nuk bëri kompromis me të keqen

Lulzim Basha, kreu i PD


Basha kujton Pjetër Arbnorin: Politikani model, nuk bëri kompromis me të keqen

09:16 18/01/2021

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përkujtuar në ditën e lindjes politikanin Pjetër Arbnori. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryedemokrati thotë se Arbnori i përkiste një plejade politikanësh të rrallë të cilët nuk bënë kompromis me të keqe dhe që nuk u dha para presioneve apo privilegjeve.

“Mandela i Ballkanit” ka qenë quajtur Arbnori, ndërsa Basha thotë se Arbnori është shndërruar në politikanin model pasi për të nuk pati asnjëherë vend për mllef dhe hakmarrje për kundërshtarin politik.

“Dua të kujtoj sot me nderim të veçantë ditëlindjen e Pjetër Arbnorit, politikanit, shkrimtarit, përkthyesit dhe humanistit të madh që kaloi 28 vite të rinisë së tij në burgjet famëkeqe të komunizmit. Pjetër Arbnori i përkiste një plejade politikanësh të rrallë, të cilët nuk bënë kurrë kompromis me të keqen, që nuk u epën para presioneve apo privilegjeve. Që deri ditën e fundit luftuan dhe u përpoqën për idealet e tyre pavarësisht vështirësive të kohës.

Siç thoshte vetë Mandela i Ballkanit, qëndresën ja kishte edukuar familja, shkolla, leximet dhe eksperienca e gjatë e miqve të burgut politik. Frika, zilia dhe tundimi për privilegje, sipas tij ishin rrugët që na bashkojnë me të keqen. Dhe gjatë gjithë jetës së tij, në rini si desident e më vonë si deputet dhe drejtues i parlamentit, Pjetër Arbnori i tejkaloi me sukses këto sfida, duke u shndërruar në politikanin model ku mllefi dhe hakmarrja për kundërshtarin politik nuk gjeti kurrë vend.

Le ta nderojmë sot Pjetër Arbnorin, gjurmët e pashlyera të tij në historinë e Shqipërisë me urimin dhe shpresën se vlerat që ai solli në politikën shqiptare do të trashëgohen dhe nga brezat e rinj të politikës”, shkruan Basha./tvklan.al






Të ngjashme