Lulzim Basha përjashtoi nga Elbasani çdo skenar bashkëqeverisjeje me Kryeministrin Rama, duke thënë se është i vendosur në rrugën për t’i dhënë fund oligarkisë dhe krimit.

“I keni dëgjuar thashethemet që përhapin. Minjtë e ndjejnë frikën, e ndjejnë ankthin. Kanë filluar të përhapin versionet e daljes nga kriza: qeveri e përbashkët Basha-Rama! Le të ja kujtojmë gjithësecilit që e ka kujtesën e shkurtër, se këtë betejë nuk e nisëm për pushtetin tonë, atë e dorëzuam, se këtë betejë nuk e nisëm për karriget tona, se ato nuk janë tonat por ato janë të popullit, qytetarëve, janë të shqiptarëve. Se në këtë betejë nuk jemi për të marrë pushtet në tavolinë, sepse pushteti në tavolinë është pushteti i krimit, është pushteti i oligarkisë. Nuk është kurrë pushteti i qytetarëve, është plaçkitja e qytetarëve. Ndaj le ta them qartë dhe prerë: Pazar në kurriz të qytetarëve, kurrë, kurrë, kurrë. Asnjëherë.”

Kryetari i Demokratëve shtoi se ua ka bërë të qartë edhe ndërkombëtarëve se nuk tërhiqet nga kushti i tij i panegociueshëm për largimin e Kryeministrit.

Miqve tanë perëndimor u kemi komunikuar gatishmërinë tonë për të qenë pjesë e kësaj zgjidhje politike për vendin, se kjo zgjidhje politike në mënyrën më të qartë dhe më të vendosur, duhet të ndjekë vetëm një rrugë: rrugën e parimeve, standardeve dhe normave europiane. Në cilin vend të Europës do të kapej kryeministri duke futur 19 përdhunues e trafikantë dhe nuk do të jepte dorëheqjen?  Në cilin vend të Europës do ta shëndronte vendin në magazinë të drogës dhe nuk do jepte dorëheqjen? Në cilin vend të Europës i kapim, jo një, por dy ministra të brendshëm të lidhur me krimin, dhe kryeministri nuk jep dorëheqjen? Në cilin vend kapesh në afera të tmerrshme korruptive, gati për të vjedhur 30 milion euro me një kompani falso si tek Unaza e re, dhe nuk e jep dorëheqjen? Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë, por nuk do të pranojmë asgjë më pak se standardet europiane, parimet europiane, normat europiane. Vetëm kështu do të mund të parandalojmë kalimin nga kriza në krizë. Nuk ka rrugë tjetër, largimi i Edi Ramës është i panegociueshëm.”

Basha e cilësoi ilegjitim çdo akt të parlamentit dhe i ftoi qytetarët që në 2 Qershor të protestojnë kundër një qeverie të dalë nga vota e krimit.

Tv Klan