Edi Rama e akuzoi se i ka kërkuar pushtet në tavolinë, por Lulzim Basha hedh poshtë çdo pazar me kundërshtarin e tij politik, të cilit i kujton lidhjet me krimin.

“Marrëzi dhe gënjeshtra për të mbuluar panikun që e ka mbërthyer se mbahet në pushtet falë bashkëqeverisjes së tij me krimin… Kurrë nuk kam kërkuar dhe nuk do të kërkoj pushtet në tavolinë dhe pushtet me dhunë. PD, koalicioni ynë do vijë në pushtet me votë të lirë.”

Votën e lirë thotë se e garantojnë disa mekanizma, mes të cilave edhe ai i dekriminalizimit të zgjedhjeve dhe vettingu në politikë, një ndër shtyllat e platformës që demokratët prezantuan, teksa maxhoranca ka gati draftin e saj për amendimet në kodin zgjedhor.

“Të gjithë bien dakord se kemi nevojë urgjente për një reformë thelbësore për të çliruar zgjedhjet nga krimi, shitblerja e votës dhe kapja shtetërore dhe jo thjesht për amendime fasadë. Gjëja më e rëndësishme është ndarja e politikës nga krimi, pa të cilën nuk ka asnjë shans për të patur zgjedhje të lira dhe të ndershme, çfarëdo ndryshimesh të miratohen në legjislacionin përkatës”.

Kur flet për pastrim të politikës nga krimi nuk heziton që krahas bandave të rendisë edhe një listë të gjatë politikanësh të rreshtuar në krahun kundërshtar të tij.

Binomi krim-politikë thotë se ka edhe bekimin e prokurorisë, e cila sipas tij mban peng një sërë hetimesh ku vërtetohet se krimi ka qenë dhe mbetet një nga shtyllat zgjedhore të Partisë socialiste.

“Në polici dhe në prokurori ka regjistrime telefonatash dhe mesazhesh telefonike mes Vangjush Dakos dhe grupeve kriminale, mes Ulsi Manjës dhe grupeve kriminale, mes Damian Gjiknurit dhe grupeve kriminale, mes Taulant Ballës dhe grupeve kriminale dhe mes Edi Ramës e kriminelëve më famëkeq të vendit, të gjithë të regjistruar në pazare votash me kriminelë duke iu premtuar atyre mbrojtje për aktivitetet kriminale. Bajrat e Shkodrës, kriminelë të rrezikshëm ndërkombëtarë, u kthyen në punëtorë elektoralë për Partinë Socialiste. Përgjimet e tyre tregojnë se ata flasin më shumë me politikanë se sa me kriminelë, nga Ditmir Bushati e drejtues të tjerë të lartë të kupolës në Tiranë tek politikanët socialistë të Shkodrës.Ë shtë e njëjta gjë në Elbasan ku pushteti i krimit nga Çelajt te Sanxhaktarët me shokë dhe Taulant Ballës e Qazim Sejdinit, janë një dhe të pandarë. Në Durrës, bandat e Lul Berishës, Plarent Dervishit me shokë qeverisin bashkinë dhe kontrollojnë të gjithë aktivitetin e institucioneve që përfaqësojnë qeverisjen vendore. Në Vlorë kaluam nga banda e Habilajve që kontrollonte gjysmën e Vlorës tek banda e Xhafës që kontrollon 100%  të Vlorës, të tokës dhe të detit. Në Dibër Ymer Lala. Në Korçë Rragami. Në Tiranë, ndonëse në arrest e disa prej tyre në burg, nga Emiljano Shullazi tek Dritan Dajti me shokë, vazhdojnë të diktojnë vendimet politike dhe priten, dhe presin nga qelitë e burgut në audiencë politikanë madje edhe kolegët e tyre të rrjeteve kriminale ndërkombëtare. Krimineli Rraja ndihet realisht kundërshtari ynë zgjedhor.”

Në funksion të platformës për çlirimin e zgjedhjeve nga krimi opozita rendit një sërë masash mes të cilave; një sistem masash kundër shitblerjes së votës, financim shtetëror 100% të procesit zgjedhor dhe fushatës së partive si dhe përdorimin e teknologjisë në votim.

Tv Klan