Lulzim Basha, në një konferencë për shtyp foli me siguri të plotë, kur tha se Zef Hila nuk ka qenë i përfshirë në djegien e KZAZ Nr 6 në Vaun e Dejës, ku iu vu zjarri materialeve zgjedhore. Basha akuzoi Kryeministrin dhe deputetin Tom Doshi, si organizatorët e vërtetë dhe shpjegoi dhe arsyet e realizimit të këtij skenari.

“Nuk ka asnjë motiv për shkarkimin e tij. Zef Hila nuk ka qenë as fizikisht dhe në asnjë mënyrë tjetër i përfshirë në incidentin e Vau të Dejës. Vau i Dejës ishte skenar i Edi Ramës dhe Tom Doshit për të krijuar konflikte. Edi Rama është duke kërkuar viktima për të mbajtur pushtetin”.

Por vetë Zef Hila, në një prononcim për Report Tv, duke mohuar që ai të ishte organizator i zjarrvënies, pranon se protesta ishte organizuar nga strukturat e PD dhe Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë.

“Unë nuk e kam dëgjuar. Unë nuk kam asnjë lloj informacioni, por di që protestat në Vaun e Dejës kanë qenë të qeta dhe nuk ka pasur incidente. Protesta e djeshme nuk është organizuar nga Bashkia e Vaut të Dejës, por nga Aleanca për Mbrojtjen e Demokracisë të Vaut të Dejës. Unë e them me përgjegjësi të plotë se nuk jam marrë me organizim të protestës. Porositë kanë qenë që protestat të jenë të qeta dhe paqësore. Unë jam Kryetar i Bashkisë i zgjedhur. Nuk kam qenë pjesë e protestës. Të gjithë ata kanë protestuar si qytetarë të lirë. Ata kanë të drejtën e tyre. Aq më tepër kemi një dekret të presidentit dhe çdo njeri ka të drejtën e tij. Të gjitha kanë qenë jashtë orarit të punës. Ministri është dezinformuar në raport me kryetarin e Bashkisë”.

Kjo deklaratë e Hilës, nga Kryeministri Rama shihet si provë se ngjarja në KZAZ e Vaut të Dejës u organizua nga Partia Demokratike.

“Dil jepi xhevap Zef Hilës që tha shkollën e dogje ti me atë fotokopjen e shëmtuar të enveristëve më kokëboshë të 91shit, Aleanca e Demokratëve a si e quan ti! Dil se është koha të marrësh përgjegjësi për dyfytyrësinë e javës së fundit, hidh gurin e fshih dorën”.

Në mbledhjen e pasdites, KQZ miratoi nxjerrjen jashtë përdorimit të materialeve zgjedhore të qendrave të votimit në KZAZ Nr.6 dhe zëvendësimin e tyre.

Tv Klan