Pavarësisht dy ftesave publike të Kryeministrit, Lulzim Basha thotë se largimi i Edi Ramës është parakushti për të nisur dialogun. Sipas tij, largimi i Kryeministrit dhe krijimi i një qeverie trenzitore që do të mundësojë zgjedhje demokratike janë zgjidhja për krizën politike.

Gjatë një takimi me qytetarët në Vorë, kryedemokrati tha se do të ketë vetëm dialog kombëtar me qytetarët për të ndryshuar sistemin elektoral. Por theksoi se kjo do të ndodhë pas dorëheqjes së Kryeministrit Rama.

“Ne po luftojmë që shqiptarët t’i kenë të garantuara me ligj dhe Kushtetutë atë që Kushtetuta e thotë në preambul, që Zot në këtë vend janë shqiptarët. Ndaj do të kemi një dialog kombëtar për të vendosur së bashku jo thjesht largimin e Edi Ramës, sepse largimi i Edi Ramës është parakusht i panegociueshëm për hapjen e dialogut, por përmes një dialogu kombëtar që ju të vendosni për një sistem elektoral. Kurrë nuk do të kërkojmë pushtet në tavolinë. Atë çfarë e kishim në dorë ne e dorëzuam. Edi Rama është ai që për pushtetin e tij kriminal do të sakrifikojë gjithçka sa ju keni. Kërkon ta marrë me pahir më 30 Qershor, ftesa ime është të shtunën të gjithë bashkë në Tiranë me një mesazh kombëtar, të ndalim me çdo çmim, me çdo sakrificë rënien e demokracisë, nuk e dorëzojmë demokracinë, nuk e dorëzojmë lirinë”.

Kryetari i Partisë Demokratike akuzoi Kryeministrin Edi Rama për krime elektorale dhe se ka vendosur në listat e kandidatëve persona që sipas tij janë përfshirë në blerje votash.

“Edi Rama nuk ka asnjë shans t’i detyrojë shqiptarët që të pranojnë një tjetër krim elektoral. Vetëm 5 kandidatë nga listat e tyre janë të pandehur të drejtpërdrejtë për dosjen e blerjes së votave. Valbona Sako, Agron Malaj, Dionis Ymeraj, Pjerin Ndreu, 4 kandidatë që në fakt duhet të ishin të pandehur dhe po të kishim drejtësi funksionale duhet të ishin të dënuar. Kemi dhe kandidatin e Shijakut që duhet të ishte sot para drejtësisë si një nga njerëzit pjesëmarrës me bandën e Avdylajve”. /tvklan.al