“Të zbatohet plani me 5 masa si në Itali”

Nga Durrësi ku vijoi takimet me përfaqësues të biznesit të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, kreu i opozitës Lulzim Basha kërkoi nga qeveria që të krijojë lehtësira fiskale për shmangien sipas tij te një dimri ekonomik e social.  

Basha thotë se plani me 5 masa i propozuar nga opozita synon rimëkëmbjen e ekonomisë dhe është një model i ngjashëm i ndjekur nga Italia pas tërmetit në Aqulia.

1. Pezullim të faturave të energjisë dhe të ujit.

2. Pezullim të të gjitha taksave vendore, duke përfshirë taksën e pronës,

3. Pezullim dhe shtyrje e pagesës me këste të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore

4. Anulim i çdo takse të tatim-fitimit apo taksa të tjera për të gjithë kohën derisa situata të normalizohet.

5. Përjashtim nga TVSH për lëndët e para dhe materialet që përdoren për rikuperimin e dëmeve”.

Këto pesë pika i japin mundësi biznesit ta mbajë kokën mbi ujë”.

Nëse kjo paketë masash  nuk zbatohet nga qeveria,  Basha tha se pasojat krahas biznesit do t’i vuajnë edhe qytetarët.

 “Biznes do të thotë punësim, është një zinxhir i tërë që është pas punës tënde; do të thotë fuqi blerëse, do të thotë punësim, do të thotë edhe buxhet. Në qoftë se nuk arrin dot të mbështesë biznesin do të dëmtosh të gjithë; do të dëmtosh të punësuarit, do të dëmtosh buxhetin e shtetit, do të dëmtosh edhe mundësinë e shtetit për të ardhur në ndihmë.”

Në takimet që pati me banorë të katundit të ri në Durrës, kreu i opozitës i kërkoi të prekurve nga tërmeti të mos futen në shtëpitë e tyre pa u certifikuar zyrtarisht nëse janë të sigurta.

 “Porosia ime si bashkëqytetar është mos u fusni në objekte të cilat nuk kanë certifikim. E kam parë me sytë e mi se çfarë ndodhi në Thumanë. Ajo që ndodhi në Thumanë ishte plotësisht e shmangshme. Nëse shteti do të kishte bërë detyrën e vet dhe do t’u kishte thënë atyre banorëve “mos u fusni”, ata 24 njerëz nuk do të ishin nën tokë”.

Kryeministrin e akuzoi se ka lënë në harresë këta banorë dhe e njëherazi e ftoi të ndalë shfaqjet përpara kamerave.

 “Të ndalë spektaklin mbi vdekjen, sepse ka filluar të bëjë spektakël me vdekjen, dhe t’u vijë në ndihmë njerëzve”

Basha i bëri thirrje qeverisë të vërë në funksion të të prekurve nga tërmeti  150 milionë dollarë të parashikuar sipas tij për 10 oligarkë për koncesione e PPP.

Tv Klan