“Gjyqi ndaj vëllait të ish-ministrit Xhafaj, tërësisht politik”

Shqetësimin për ndërhyrje politike në gjyqin ndaj vëllait të ish-ministrit Fatmir Xhafaj, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ia shprehu ambasadorëve në Tiranë. Në letrën dërguar atyre, Basha thekson se “nën presionin politik të qeverisë, sistemi drejtësisë dështoi të bëjë dhe përfundojë një hetim për krimet e dyshuara”.

Sipas Bashës, Partia Demokratike nëpërmjet përfaqësuesit të saj, Ervin Salianji, ka denoncuar publikisht përmes provave përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm në trafikun e lëndëve narkotike.

“Gjyqi prodhoi shkelje flagrante të ligjit, nga një gjykatës haptas i lidhur me partinë në pushtet duke dënuar përfaqësuesin e PD Ervin Salianji”, thotë Basha. Bashkë me letrën, kreu demokrat u dërgoi ambasadorëve dhe argumentet, që sipas tij, tregojnë abuzimin që ka çuar në një drejtësi qesharake duke dënuar denoncuesit e krimit dhe mbrojtur autorët e krimit.

Tv Klan