BashaNën slloganin “Një popull në këmbë kundër drogës, Rama në shtëpi”, kryetari i opozitës, Lulzim Basha nisi takimet me qytetarët në rrethe, në funksion të protestave të lajmëruara kundër qeverisë Rama.

Ai u ndal në qytetin e Lushnjes, ku teksa foli për avionin e rënë në Divjakë, sasitë e kanabisit shqiptar të sekuestruar jashtë vendit dhe emërimet në postet drejtuese të administratës dhe të policisë të personave të inkriminuar, tha se liria ndodhet nën kërcënimin e narkotrafikut, i cili, po synon të blejë mandate dhe zgjedhjet, ashtu si në 23 qershor.

Avionin e Divjakës e quajti majën e ajsbergut të narkotrafikut, ndërsa ritheksoi akuzat kundër kryeministrit Rama për fshehjen e së vërtetës së kësaj ngjarjeje.

Duke theksuar se trafiku i lëndëve narkotike dhe përfshirja e rinisë në këtë krim përbën shqetësim shoqëror, Basha i ftoi qytetarët në protestën e të premtes, për të larguar qeverinë Rama.

TV KLAN