“Qeveria të shkëpusë lidhjen me krimin në Elbasan”
Elbasani është një tjetër qark që sipas Lulzim Bashës po vuan pasojat e rënda të krizës ekonomike, duke shënuar rënie të konsumit dhe mbyllje të biznesit të vogël.
Zgjidhjen e sheh tek plani 6 mujor i rimëkëmbjes. Ndaj Kryeministrin e fton sërish të lërë propagandën e të vërë sa më parë në zbatim 5 pikat e propozuara nga opozita.
“Nga mëngjesi deri në darkë del dhe bën batuta pa kripë, por ato as nuk hahen, as nuk pihen, me ato as nuk blen bukë, as nuk blen ilaçe, as nuk ushqen fëmijët e qindra familjeve shqiptare që janë pa bukë. E lus sot nga Elbasani që t’i lerë broçkullat dhe gërrverret dhe të marrë planin që kemi përgatitur pasi kemi studiuar situatën”.
Krahas krizës ekonomike, Basha tha se qytetarët e Elbasanit janë edhe më të pasigurtë për shkak të ngjarjeve kriminale të shënuara së fundmi. Dhe gishtin e përgjegjësisë kryedemokrati e ngre sërish nga qeveria.
“Situata e krimit në Elbasan është rënduar për shkak të bashkëpunimit të krimit me pushtetin. Atë që kemi thënë 7 vite nuk ka njeri në Elbasan që nuk e ka kuptuar se ishte e vërtetë. Zgjidhja është shkëputja e lidhjeve të krimit me pushtetin, dhe ky është një nga zotimet e mia të para dhe kjo do të jetë padiskutim një nga arritjet e mia të para për qytetin e Elbasanit dhe për gjithë Shqipërinë”.
Basha premtoi se pas ardhjes së demokratëve në pushtet siguria dhe rendi janë një ndër prioritetet e qeverisë së tij, krahas rimëkëmbjes ekonomike të vendit.
Tv Klan