Lulzim Basha foli për mafia të kromit duke akuzuar Ministrin e Energjisë, Damian Gjiknuri si pjesë të saj. Deklarata e fortë e kreut të demokratëve erdhi pasi vizitoi nga Spitali i Traumës njërin prej minatorëve që mbeti i plagosur të martën në galeritë e minierës së Bulqizës.

“Këto janë kostot dhe faturat e një korrupsioni qeveritar të një prej ministrave më të korruptuar të kësaj qeverie të krimit dhe korrupsionit, të cilit i është mbyllur goja me milionat e mafies së kromit, që është përgjegjësia kryesore bashkë me qeverinë e Edi Ramës për vdekjet e mbi 40 minatorëve gjatë 5 viteve që qeveris PS. Në 5 vite mafia e kromit dhe mafia e Edi Ramës dhe Damian Gjiknurit me shokë i kanë marrë jetën më shumë minatorëve se në 20 vite të marra së bashku”. 

Por ndryshe nga kreu i opozitës, minatori Selim Zeneli, i cili punon prej 28 vitesh në minierën e kromit thotë se kushtet në të cilat punon janë brenda standardeve.

“Janë shumë të mira, për kushte nuk kemi pas vërejtje, kohët e fundit sidomos janë rregulluar, por unë kam qenë në ballë të punës.”

Deklarata e kreut të opozitës solli edhe reagimin e Ministrit të Energjisë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Gjiknuri thotë se

“Regjizori i Babales ju rikthye politikës së korbave duke përdorur politikisht fatkeqësitë njerëzore dhe aksidentet në punë gjatë aktivitetit minerar. Luli e di shumë mirë se ajo çka vazhdojmë ta paguajmë sot është fatura e “babale partisë” së tij dhe qeverisë në të cilën ishte pjesë, që parcelizuan në mënyrë kriminale çdo vendburim minerar duke u bërë shkak për rritjen e aksidenteve. Në betejën me zhbërjen e këtij parcelizimi vijon Ministri Gjiknuri maxhoranca ka  revokuar mbi 150 leje dhe është përballur e vazhdon të përballet me gjykatat e ndryshkura nga korrupsioni. Regjizori i Babalës mbron gjykatat e korruptuara dhe këto të fundit mbrojnë e mbajnë në fuqi leje e licenca të firmosura nga skenaristi i Babales në të cilat ndodhin edhe aksidente me humbje jetësh njerëzore,

përfundon Ministri Gjiknuri.

Tv Klan