Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të mbledhë Kryesinë pas përfundimit të punimeve të Kuvendit të 18 Dhjetorit.

Kujtojmë që ditën e sotme, Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Basha votoi atë që kryetari i PD e paralajmëroi që në fjalën e tij për të laguar ish-Kryeministrin Sali Berisha nga funksionet drejtuese.

“Ne do të lëmë jashtë radhëve tona të shpallurit non grata nga SHBA. Nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese të PD, njerëz që cënojnë orientimin perëndimor të Shqipërisë, devijime populiste dhe nacionalizma të verbër që synojnë destabilizim të rajonit dhe krijojnë pasiguri për të ardhmen e Shqipërisë. PD duhet të jetë garancia e shqiptarëve që do të jetojnë në një vend me sytë mendjen dhe trupin në Perëndim. Si do të jetë PD sot do jetë Shqipëria nesër”, tha Basha.

Ndërkohë kreu i komisionit të punimeve të Kuvendit Jemin Gjana tha se në sallë ndodheshin 5004 delegatë.

“Të dhënat që kam këtu konfirmojnë se ne kemi shumicën dërrmuese të delegatëve. Kryesia e PD në mbledhjen e djeshme ka vendosur që në ndihmë të punës për menaxhimin  e Kuvendit të krijojë një komision me të cilin janë ndjekur procedurat e regjistrimit të delegatëve dhe vendimmarrjen. Sipas prezencës të nënshkruar prej secilit delegat, janë të pranishëm në Kuvendin e datës 18.12.2021 janë të pranishëm 5004 delegatë. Propozoj që nesër 5004 emrat të bëhen publik emrat e të gjithë delegatëve që kanë marrë pjesë në këtë Kuvend”, tha Gjana./tvklan.al