22:10 – Me një fjalim që tashmë është kthyer në traditë, Kreytari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbyllur protestën e 10-të kombëtare të opozitës për largimin e Kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme të përgjithshme.

Javët dhe ditët në vijim do të jenë ditë e javë aksioni të ngjeshur politik, për t’i dhënë forcë, thelb dhe besueshmëri ndryshimit. Edi Rama do të largohet, por është detyra jonë të mos mjaftohemi me rotacionin politik, por t’u japim shqiptarëve fundin e tranzicionit politik”, tha Basha, duke mos përmendur datë për protestën e radhës të opozitës së bashkuar.

Protesta e kësaj të hëne u karakterizua nga qetësia dhe nuk pati përplasje me forcat e policisë, as para kryeministrisë dhe as para selisë së Kuvendit.

21:35 – Pas thirrjes së Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, protestuesit nisin marshimin drejt Parlamentit për të mbyllur protestën me fjalimin e Bashës para selisë blu.

21:30 – Basha: Përgatituni për ditën e gjykimit!

Përgatituni për ditën e gjykimit!” Ky ishte paralajmërimi i fortë i liderit të opozitës, Lulzim Basha, për të gjithë ata që kanë abuzuar me pushtetin. “Drejtësia ka vonuar, por drejtësia nuk do të mungojë!”- tha Basha, i cili nuk la jashtë vëmendjes edhe kriminelët. “Ne do t’ju shtypim pa mëshirë! Do ta pastrojmë Shqipërinë nga fara juaj shkatërrimtare! Me fundin e këtij regjimi kriminal, ne do t’i japim fund politikës së të fortëve.

Basha u tha ndjekësve të tij se shpëtimi nuk do të vijë nga jashtë!

Dinjitetin nuk do ta gjejmë duke bërë viktimën. Forcën nuk do ta gjejmë duke fajësuar të tjerët. Shpëtimi nuk do të na vijë nga jashtë. Zgjidhja nuk do vijë me magji. Punën nuk do të na e bëjnë të tjerët. Në rrugën tonë do të kemi ndihmën e miqve. Në betejat tona nuk do të jemi vetëm, por beteja është e jona”, tha Basha.

Ne besojmë tek e ardhmja e ndritur e Shqipërisë. Koha është e shqiptarëve. Zoti është me shqiptarët.

21:25 – Basha: Nuk ka zgjidhje politike pa ndëshkuar vjedhësit e votave

Në fjalën e tij para mijëra mbështetësve në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, në protestën e 10 kombëtare të opozitës, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se nuk do të ketë zgjidhje politike pa u dënuar ata që vodhën votat.

Dua ta deklaroj para gjithë botës: Derisa të dalin para drejtësisë, ata që vodhën votat e shqiptarëve, bashkë me krimin, nuk do të ketë zgjidhje politike. Ne do të bëjmë çdo përpjekje Do të përdorim çdo mjet për t’i nxjerrë ata para drejtësisë. Bashkë me ta, do të largojmë Edi Ramën nga pushteti. Njeriun që e solli krimin në politikë, njeriu që ia la shtetin në dorë krimit.

Pa u larguar Edi Rama nga pushteti: Nuk do të ketë drejtësi. Nuk do të ketë zgjedhje të lira. Nuk do të ketë demokraçi. Nuk do të ketë integrim në BE”, u shpreh Basha.

Kryedemokrati tha se përpjekja 6 vjeçare e PD, këmbëngulja dhe qëndresa e saj, triumfoi.

Këto përpjekje po sjellin ndryshimin e madh. Jo vetëm largimin e kësaj qeverie, por ndryshimin e thellë të vendit”, tha Basha, i cili shprehu besimin se shqiptarët janë të etur, jo për ndryshim të përkohshëm e ndryshim fals, por ndryshim të vërtetë. “Jo ndryshim fasadë, por një ndryshim që do t’u japë fund krizave dhe traumave të tranzicionit. Një ndryshim që do të na fusë në rrugën e sigurt drejt Bashkimit Europian dhe vlerave perëndimore. Kriza duhet të zgjidhet dhe do të zgjidhet me parime, dhe jo me pazare. Kjo krizë do të zgjidhet duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Ata që e kanë sjellë vendin në këtë vend, ata që sollën krimin në politikë, ata që u korruptuan, nuk do të dalin nga kriza si shpëtimtarë, por si përgjegjës. Vetëm kjo e shpëton të ardhmen evropiane të Shqipërisë: Nxjerrja e politikanëve të lidhur me krimin para drejtësisë së pavarur. Vetëm drejtësia përmes ligjit”.

21:19 – Basha: 30 Qershori ishte një referendum kundër së keqes

Kryetari i Partisë Demokratike dhe lideri i opozitës, Lulzim Basha, e nisi fjalën e tij në protestë duke folur për rezultatet e 30 Qershorit, ku siç tha ai, shqiptarët refuzuam të keqen, izoluan krimin, ndëshkuan korrupsionin.

“30 Qershori ishte një referendum kundër së keqes. Ishte demonstrimi i mrekullueshëm i lirisë, i europianizmit dhe qytetarisë së shqiptarëve. 30 Qershori ishte dita kombëtare e kurajës, kur shqiptarët treguan se ata kanë forcë të ndahen nga e keqja. 30 Qershori ishte dita e popullit, kur shqiptarët treguan se janë kundër regjimit kriminal të Edi Ramës. Edi Rama vetë kandidoi, vetë votoi, vetë numëroi dhe, prapë, vodhi vota, por ai nuk mundi dot të fshehë braktisjen dhe refuzimin e tij nga populli. 85 % e shqiptarëve e refuzuan regjimin e tij. Refuzuan krimin dhe korrupsionin, refuzuan varfërinë dhe mungesën e shpresës. Populli i bashkuar, populli i ndriçuar, është fundi i autokratëve të korruptuar. Ne bashkë i themi ”Ndal” qeverisë më të korruptuar të Europës, “Ndal” politikës së krimit dhe të vjedhjes. Shqipëria është e njerëzve. Qeverisja është e popullit. Rama ik! Faleminderit opozitës së bashkuar, ju jam mirënjohës secilit prej jush nga udhëheqësit tek anëtarët më të thjeshtë, bashkë jemi një uragan politik i pandalshëm. Faleminderit anëtarëve dhe mbështetësve të PD, për besimin tek kauza jonë, për të cilën qëndruam bashkë, luftojmë bashkë, ngrihemi bashkë, luftojmë bashkë, duke refuzuar mercenarët e shitur tek Edi Rama. Nga ky shesh dua t’u drejtohem socialistëve të ndershëm kudo në Shqipëri: Ju nuk jeni hajna, ju nuk jeni kriminelë. Mos e lini partinë tuaj në duart e krimit, në duar te hajnave, në duart e injorantëve! Është përgjegjësia juaj ndaj vetes, por edhe ndaj Shqipërisë! Braktiseni Edi Ramën! Izolojeni Edi Ramën! Shpëtoni partinë tuaj dhe nderin tuaj, të marrë peng nga krimi, oligarkët dhe të fortët e rrugës.”

21:01 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u bashkohet protestuesve në Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe nis fjalimin e tij para mbështetësve.

20:47-Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha del nga selia blu, për t’iu bashkuar protestuesve në bulevardin Dëshmorët e Kombit.

20:10 – Ka nisur mbrëmjen e kësaj të hëne në orën 20:00 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit protesta e 10 kombëtare e opozitës së bashkuar, ku kërkohet largimi i kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie tranzitore që ta çojë vendin në zgjedhje të përgjithshme të parakohshme. Mijëra protestues nga të gjithë rrethet e vendit janë mbledhur para zyrës së Kryeministrit Edi Rama.

Mbështetësit e opozitës improvizuan një “qendër votimi” në Bulevard, ndërsa në vend të votave protestuesit hedhin në kuti fletushka ku shkruhet “Rama Ik”.

Mbi “kutinë” e improvizuar të “votimit” shkruhet “Zgjedhjet për organet e vjedhjes vendore të datës 30 Qershor 2019”, “Qendra e Vjedhjeve”. Pasi kutia u mbush me “votat” Rama ik, fletët po hidhen para kryeministrisë.

Shqiponja e flamurit kombëtar është vendosur në qendër të protestës së opozitës.PD thotë se “në zemër të saj shkruhet shifra “85%”, aq sa është përqindja e shqiptarëve që refuzuan Ramën në votimet moniste të 30 Qershorit. Opozita bindi shqiptarët që të refuzojnë procesin e njëanshëm të Ramës duke e lënë vetëm me 15 për qind të votuesve të cilët u detyruan të dalin me dhunë në votime pasi duke qenë në administratë humbisnin vendet e punës.

Në protestë mbizotërojnë flamujt kombëtar, ato gjermanë, amerikanë dhe të BE-së. Ky është tubimi i parë i opozitës pas zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, të cilat u bojkotuan nga opozita.

Kryetari i PD, Lulzim Basha, përmes një mesazhi dërguar qytetarëve shqiptarë më herët të hënën ka lënë të kuptohet se protesta e sotme do të jetë paqësore. Basha i ka ftuar shqiptarët që të bëhen pjesë familjarisht e tubimit antiqeveritar.  Ai ka kërkuar devotshmëri dhe vendosmëri deri në largimin e kryeministrit Edi Rama, pasi sipas tij, vetëm përmes votës së lirë qytetarët do të kenë një qeveri që do të mendojë për ta.

Kryedemorkati ka lënë porosi të qarta për strukturat e PD dhe organizatorët e protestës, duke kërkuar pjesëmarrje masive. Numri i madh i protestuesve kërkohet të jetë edhe forca e opozitës në këtë protestë.

Basha ka kërkuar shmangien me çdo kusht të përplasjeve dhe konflikteve mes qytetarëve dhe efektivëve të policisë në protestë.

Në protestën e sotme do të ketë një fjalë të Bashës, më pas protestuesit do të zhvendosen para parlamentit dhe në fund kryedemokrati pritet të mbyllë protestën me një fjalë nga selia e PD.

Për mbarëvajtjen e protestës janë angazhuar rreth 1200 forca policie. /tvklan.al