Unë nuk vij me premtime, unë vij me plan pune

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi mëngjesin e kësaj të premteje takime me qytetarët në Njësinë 9 në Tiranë, nga ku tha se situata ekonomike dhe sociale në këtë njësi është shumë e vështirë, ndërsa biznesi rrezikon të shkojë drejt falimentimit. Basha u ndal dhe takoi qytetarë e përfaqësues të biznesit. Gjatë bisedave me qytetarët, kreu i opozitës shpalosi detaje të programit, ku vend të veçantë do ketë edhe plani për rritjen e pensioneve dhe fasha mbrojtëse për pagesën e energjisë.

“Ne do të vendosim një politikë e cila do e rrisë pensionin minimalisht dyfishin rritjen e normës së inflacionit dhe jo më pak se 5%, e para, e dyta do ju vendosim atë fashën mbrojtëse për energjinë ku çmimi do të ulet për 300 kw/h e parë për muaj”.

Sipas kryetarit të PD, situata do të ndryshojë me ndryshimin e madh të 25 Prillit dhe këtij ndryshimi do t’i prijë rinia.

“Unë nuk vij me premtime, unë vij me plan pune. Në 25 Prill kemi ditën e betejës për familjet tuaja dhe për të gjithë Shqipërinë. Dhe pastaj keni fjalën time dhe zotimin tim që të gjitha angazhimet do t’i bëjmë realitet.”

Kryetari i PD, Lulzim Basha garantoi qytetarët se Teatri Kombëtar do të ndërtohet siç ishte, aty ku ishte duke i qëndruar angazhimit të marrë pak kohë më parë me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit./tvklan.al