Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar sot bashkëbisedim me disa të rin në qyteti e Vaut të Dejës. Në këtë takim të rinjtë kanë treguar problemet që i shqetësojnë, ku fokusi ka qenë tek arsimi.

Pasi dëgjoi disa nga problemet e të rinjve, Basha tha se problemet me arsimin janë shkak i mos trajtimit dinjitoze të arsimtarëve dhe keqpërdorimit të fondeve për këtë sektor dhe keqqeverisjes në përgjithësi.  Sipas tij, kjo shikohet në mbylljen e rreth 400 shkollave për shkak të neglizhencës dhe shpopullimit të vendit.

Kjo qeveri dhe ky kryeministër e ka lënë Shqipërinë në baltë dhe i ka lënë këta fëmijë në baltë dhe kjo duket më shumë se kudo tjetër tek gjendja e arsimit. Tek gjendja e arsimit universitar i cili s’ka si të jetë më i mirë, kur gjendja në arsimin parauniversitar është njësoj. Trajtimi jo dinjitoz i arsimtarëve që ka çuar në rënin e cilësisë së mësimdhënies, militantizmi, deprofilizimi, i rekrutimit të mësuesve. Ne kemi studiuar prej më shumë se 3 vitesh situatën në vend dhe na rezulton se në veçanti zonat rurale apo në zonat e vogla kanë arritur paradokse të tilla, sa që një mësues i kualifikuar për një lëndë, jep një lëndë tjetër.

Sa i përgatitur është një mësues gjeografie të japë kimi? Apo anasjelltas. Dhe e gjitha kjo është bërë nën fasadën e ashtuquajturit portal që s’është gjë tjetër vetëm një fasadë që mbulon apo si të themi nuk mbulon dot dështimin me arsimin. Si rezultat i kësaj shumë familje janë detyruar ti çojnë fëmijët në shkolla private që është një kosto shtesë. Janë futur në borxhe për këtë madje, sepse ne e dimë që shqiptarët nuk kursejnë asgjë për arsimin e fëmijëve të tyre. Por a e meritojnë të kenë këtë gjendje të arsimit sot? Sigurisht që jo! Taksat janë rritur.

Ka 8 vjet që shqiptarët paguajnë taksa më të larta për shkak të Edi Ramës. Çmimet janë rritur. Këto para shkojnë në arkën e shtetit por nuk kthehen te qytetari, nuk kthehen tek familjet e shqiptarëve, nuk kthehen në punësim, nuk kthehen në shëndetësi dhe nuk kthehen në arsim me cilësi. Ndërkohë deri në dhjetëra  të këtij viti rritja totale e pagave për arsimtarët ishte disa herë më e vogël se inflacioni dhe vetëm kur erdhën zgjedhjet u kujtuan të bëjnë një rritje minimale për pagat bazë.

 Arsimtarë të pa respektuar, të pa paguar që nuk janë në gjendje të mbajnë  fëmijët e tyre, të shpërndarë larg vendbanimeve që do të thotë kosto e rritur e transportit. Gjëja e parë që do të korrigjojmë  është që ne do t’i kthejmë dinjitetin arsimtarëve shqiptarë duke ju rritur pagat dhe duke ju bërë të mundur që ata detyrën e tyre që është e dyta më e shenjta pas prindit ta kryejnë me dinjitet dhe me përgjegjësi maksimale. Dhe vetëm në këtë mënyrë mund të flasim pastaj për hapat e tjerë, ku hapi i dytë është infrastruktura fizike”, u shpreh Basha.

Gjatë takimit Basha gjithashtu tregoi se si do të mbështeten çiftet e reja që sot e kanë të pamundur të sigurojnë një banesë dhe të krijojnë familje./tvklan.al